14/03/2025

Letrat e mjekut arbëresh (1916-1919): Burrat shqiptarë janë përtacë, gratë trajtohen si mushkat!

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

– Letrat e mjekut ushtarak italian për Shqipërinë e viteve 1916-1919, ku burrat pinin duhan dhe gratë përdoreshin si kafshë ngarkese –

 

Kanë kaluar vetëm katër vjet qëkur Shqipëria ka fituar pavarësinë dhe shqiptarët ende ndihen si të humbur. Varfëri e tejskajshme, injorancë, dhunë …! Në këto kushte, një i huaj, i “ngecur” në Shqipëri, bëhet dëshmitar i gjendjes. Janë plot 767 letra të panjohura deri më sot nga lexuesi shqiptar, që Damiano Bruno, një mjek arbëresh i mobilizuar në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, ia dërgonte – nga prapavijat e frontit shqiptar – familjes së tij në Itali.

I ardhur në mënyrë kronologjike përmes letrave që Bruno i dërgon mbesës së tij, Marielës, na zbulohet Shqipëria e viteve 1916-1919. Mjeku ushtarak, i cili gjatë qëndrimit të tij udhëtoi në shumë zona të Shqipërisë, tregon për shqiptarët, natyrën, zakonet, veset, varfërinë …!

Si një njeri i ardhur nga Italia, nga një vend që njihet si dashurues i grave, Bruno nuk mund të mos i kushtonte një vëmendje të veçantë gjendjes së vështirë të gruas shqiptare. Rrëfimi është i drejtpërdrejtë dhe herë-herë të bën të ndihesh keq, por ndonjëherë edhe të vësh buzën në gaz me sensin ironik dhe befasitë që çdo ditë i bënin shqiptarët.

Përmes një shënimi prezantues për lexuesin, albanologu i njohur Francesco Altimari e cilëson librin si “një punë të shkëlqyer kërkimore historike”. “Në fletët e këtij ditari intim, vlen për t’u hulumtuar jeta e përditshme. Mjeku ushtarak e përdor ditarin e tij jo vetëm për t’i komunikuar të reja së mbesës, por edhe për të shprehur sinqerisht gjendjet më të thella shpirtërore të tij. Nuk mungojnë gjykimet (por edhe paragjykimet) që mjeku italian shpreh gjatë udhëtimeve ushtarake në Shqipërinë Jugore.

Disa letra nga epistolari i Damiano Brunos

Më 2 mars 1917

E dashur Mariela!

Sot m’u desh të bëja një shëtitje lart në mal. Të them të vërtetën, kur erdha, ndihesha i këputur dhe me keqardhje në shpirt. Por, nuk pendohem për pikëllimin e së djeshmes. Është mrekulli të ecësh përmes pyjeve të pafundëm të mbuluar të gjithë me dëborë.

Në pjesën më të madhe rruga, ngjason me një galeri pemësh të gjelbërta e të bardha. Malet shqiptare janë të ashpra, por, nën mantelin e dëborës, e humbasin vrazhdësinë, luginat, peizazhi vishet me një pamje fantastike, irreale magjepsëse.

Puthe Marielën dhe Luiginon.

Më 5 mars 1917

E dashur Mariela!

Sot në mëngjes erdhi në infermieri një grua shqiptare e hipur mbi mushkë; e njomë, e hirshme, e shoqëruar nga i ati dhe i shoqi. Këtu në Shqipëri të shohësh një grua që trajtohet kaq mirë, është diçka e pazakontë. Për shembull, sot pasdreke pashë një grua të mjerë; e ndihmuam ne për çdo mjekim dhe i dhamë edhe sot pak kafe dhe supë.

Por, i shoqi i saj, nuk dukej i prekur nga varfëria apo, nga fakti se ajo ishte në fund të jetës, nuk dukej i prekur as nga vëmendja jonë. Madje, nuk dukej sikur i shoqi do ta priste vdekjen i palumtur, për të gjetur një grua tjetër.

 

Më 9 mars 1917

E dashur Mariela!

Përtacia e shqiptarëve është e pabesueshme, madje diçka e përbindshme. Unë vetë kam parë çdo ditë burra që rrinë e tymosin duhan dhe shohin një plakë të shkretë që prashit tokën, duhanin dhe qepujkat. Më kanë thënë se duke kaluar nga lumi, kishin parë një herë një shqiptar që kishte hipur mbi shpatullat e një gruaje të gjorë, për të kapur frutat!

Ai meriton ta fusje në ujë të ftohtë brisk e ta rrihje me kamxhik. Sot, kur po vinim në batalionin 291, bashkë me policët, gjetëm një burrë që po shkonte në qytet së bashku me gruan e tij të vjetër të ngarkuar si një gomar. Policët e urdhëruan menjëherë gruan ta mbante ai ngarkesën.

Më 12 janar 1918

E dashur Mariela!

Në Shqipëri gratë bëjnë të gjitha llojet e punëve në fushë: punojnë me shat, korrin, mbledhin ullinjtë, kullosin delet e krasitin pemët e ullirit. Sot, pranë shtëpisë sime një grua u shfaq papritur tek ullinjtë; po i priste degët kuturu, duke e prishur në fund bimën e shkretë, të tharë tashmë nga vitet.

Më shumë se për ta ndihmuar, i thashë të dilte një nga ushtarët e mi, për të krasitur një pemë, në mënyrë që ajo të mësonte se si duhej bërë kjo punë. Gruaja mbeti e kënaqur dhe i dha shumë dru për zjarr.

 

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...