Shkruan: Abdullah Klinaku
Klubi “Demokracia Konservatore” si organizim qytetar konsideron se situata politike dhe ajo e sigurisë është shqetësuese dhe e paqëndrueshme.
Republika e Kosovës si synim i yni nacional ka ardhur si rezultat i luftës sonë çlirimtare dhe mbështetjes ndërkombëtare nga shtetet mike, prandaj konsiderojmë se është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe bashkërendimi i vendimeve politike të vendit me këto shtete mike.
Serbia synon ta destabilizojë Kosovën, ta kërcënojë veriun dhe të ushtrojë presion për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive e vetqeverisëse. Për arritjen e këtyre qëllimeve Serbia është duke u përpjekur të vendos para akteve të kryera Qeverinë e Kosovës.
Demokracia Konservatore, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë me çdo kusht klimën e unitetit kombëtar midis mazhorancës dhe opozitës si dhe të jetë në koordinim të plotë e të sinqertë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglinë, Gjermaninë, Turqinë dhe Shqipërinë.
Po ashtu i bënë thirrje opozitës që ta vëjë në funksion të këtij uniteti kombëtar gjithë kapacitetin e vet politik, intelektual e kadrovik.
Koha është për unifikim e mbrojtje të Republikës me vendosmëri dhe urtësi e dije!