“Ky vendim tregon se mund të ndodh arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë…”
Kështu ka thënë shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pasi Kosova dhe Serbia tashmë po lejojnë veturat me tabela shtetërore të qarkullojnë nëpër të dy vendet.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian mirëpret këtë vendim.
“BE-ja mirëpret vendimet e Kosovës dhe Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës dhe për të shfuqizuar plotësisht regjimin e stikersave. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes”.
“Ky vendim tregon se është i mundur arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky vendim përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit”, ka thënë Borrell.
Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024.
Ndërkaq, më 4 janar Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë.
Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Makinat ishin lejuar të kalonin, ndërkaq simbolet shtetërore në targa ishin mbuluar me letra ngjitëse.
Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.
Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.