17/06/2024

A rrezikohet Kosova nga lufta?! Një pyetje me 4 alternativa

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Shkruan: Durim Abdullahu

Në Kosovë bashkëjetohet me një trashëgimi të madhe dhe të kudondodhur të luftës së viteve 1997 – ’99 dhe zgjatimeve të saj si pasoja afatgjate. Në diskursin e jashtëm Kosova edhe më tutje përmendet si një vend i dalë nga lufta, kurse në përceptimet e brendshme, lufta e ka ndarë jetën e kësaj shoqërie në dy epoka: nga joliria në liri (non-liberté – liberté). Një ndarje e vështirë dhe traumatike, por edhe një ndarje çliruese për popullin shqiptar të Kosovës, komunitetin etnik më të shtypur në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Përtej kësaj, lufta e Kosovës është pragu që aq sa i ka ndarë edhe i ka bashkuar dy epoka: Kosovën e lirë me Kosovën e palirë të kohës së Jugosllavisë. Aq të pashqitshme janë vitet e paraluftës me vitet e pasluftës, sa kjo bën të duket sikur vitet e 1990-ta vazhdojnë kokëfortësisht të jenë prezente.

Në vjeshtën e vitit 1997, në Kosovë dukej e pashmangshme lufta, kurse sot më 2022, lufta duket përgjithësisht pak e gjasshme, e për disa edhe e pamundur. Po kaq të ndryshëm sa opinionet e këtyre dy kohëve me 25 vite në mes, kanë qenë dhe janë edhe bartësit e tyre. Atë kohë, populli shqiptar i Kosovës ishte i vetëdijshëm dhe e ndjente që pas luftërave në Kroaci dhe Bosnje, Serbia e kishte radhën të niste luftë në Kosovë. Laku i regjimit të Serbisë së Millosheviqit shtërngohej çdo ditë më shumë në fytin e shqiptarëve të shtypur në Kosovë. Në anën tjetër, lideri i tyre Presidenti Ibrahim Rugova, përpiqej që politikisht të shmangte çdo situatë që mund të provokonte a nxiste luftën. I tmerruar nga numri i lartë i viktimave të luftës në Bosnje, ai besonte se një luftë në Kosovë mund ta shfaroste popullsinë e saj dhe se humbja ishte e sigurt. Ky qëndrim politik abstenues i Presidentit Rugova, që me çdo kusht mundohej ta shmangte luftën madje edhe kur lufta kishte filluar, e zbehu shumë fuqinë e tij politike gjatë luftës, ndonëse para saj, kishte qenë një lider i pakontestueshëm dhe i idealizuar deri në nivel profetik nga populli i tij. Politika e Rugovës e deklaruar si pacifiste, u prish së pari nga demonstrata masive e 1 tetorit 1997, organizuar nga studentët e Universitetit të Prishtinës dhe veçanërisht dy muaj më pas nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si forcë politike dhe ushtarake, UÇK-ja u bë një aktor i ri por me një rol shumë të fuqishëm edhe ndërkombëtar.

Ndryshe nga atëherë, sot rolet janë të përmbysura: përceptimi i shumicës së qytetarëve të Kosovës është i atillë që nuk besojnë se ka gjasa që të ketë luftë në Kosovë, teksa Kryeministri Albin Kurti, ka folur disa herë për rrezikun e të paktën një konflikti të armatosur të shkaktuar nga Serbia në Kosovë. Më 1997, pritjet e popullit u vërtetuan për të sakta nga e ardhmja e afërt, kurse më 2022, ende nuk e dijmë se kush do të rezultojë më i real: mosbesimi dhe përshtypjet se nuk mund të ketë luftë apo alarmet e ngritura të kryeministrit për konflikt të armatosur eventual. Në këtë momentum, pyetja mes këtyre pritjeve është: A rrezikohet Kosova nga lufta?! Përgjigjet janë disa dhe kërkojnë shpjegime. Këtu, janë dhënë 4 alternativa!

1. Po: Kosova rrezikohet nga lufta!

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, dhënë më 8 gusht, Kurti tha që: “Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”. Në po të njëjtën ditë, në një intervistë për italianen “La Repubblica”, Kurti i tha gazetarit Fabio Tomacci se: “Rrezikojmë luftë, pas Serbisë qëndron Putini… Rreziku që të shpërthejë një konflikt i ri midis Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thosha të kundërtën, mbi të gjitha pasi bota pa se çfarë bëri Rusia me Ukrainën.” Në këto intervista, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shpjegoi gjerësisht përfshirjen e organizuar dhe koordinimin e organeve të sigurisë së Serbisë, strukturave kriminale serbe në veri të Kosovës dhe propagandës ruse, për të tensionuar situatën në veri dhe përshkallëzuar atë drejt një konflikti të armatosur të planifikuar. Nga shpjegimet e bëra nga Kurti në intervistën me gazetaren e REL-it Dorentina Baliu, u la të kuptohej që vendimi i qeverisë së drejtuar prej tij, për të shtyrë zbatimin e vendimit për targat dhe dokumentet serbe, në koordinim dhe sipas kërkesës së ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ishte lëvizja që shmangu një konflikt eventual.

Kjo nuk është hera e parë që Kurti flet për një luftë të mundshme në Ballkan. Të paktën që para 5 vitesh, kur ende ishte në opozitë, Kurti pati folur me shqetësim në publik për një garë armatimi mes Kroacisë dhe Serbisë. Duke besuar në teorinë e “armës së Çehovit”, sipas së cilës nëse në aktin e parë të dramës ka një armë të varur në mur, deri në aktin e fundit arma duhet shkrepur, Kurti pati folur në mënyrë të përsëritur për rrezikun e një lufte të mundshme në Kosovë, si rezultat logjik i armatosjes së vazhdueshme të Serbisë. Atëherë, sikur edhe sot, kritikët e Kurtit e patën cilësuar atë si paranojak të paarsyeshëm apo edhe si një profet politik i pakohë. Atë kohë, ai pati propozuar një pakt Tiranë-Prishtinë-Zagreb-Sofje, për të përballuar politikën hegjemone të Beogradit. Se sa vërtetë i ka ndjerë “paranojat” dhe besuar “profecitë” e tij Kurti, u kuptua kur ai erdhi në pushtet. Veçanërisht nga vendimi i tij për rritjen e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për më shumë se 60 % dhe nga diskutimet e vendimet për nevojën e rritjes së trupave ushtarake si dhe gjetjes së një forme të shërbimit ushtarak më masiv. Bashkëpunimi ushtarak me Shqipërinë është thelluar ndërkohë që ai me Kroacinë dhe Bullgarinë është intensifikuar.

Në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Serbisë të vitit 2021, Kosova cilësohet si rreziku kryesor për interesat e Serbisë. Në faqen e 18-të të dokumentit më të lartë të sigurisë së shtetit serb, Kosova përshkruhet si vend i tensionve ndëretnike, si shoqëri e myslimanëve radikalë dhe prej nga projekti i Shqipërisë së Madhe vjen si burim i destabilitetit në rajon. Për katërmbëdhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë, Republika e Kosovës nuk ka miratuar në Kuvend një dokument strategjik të sigurisë, megjithëse një draft-strategji e sigurisë 2022-2027, u miratua nga qeveria Kurti më 4 korrik 2022. Niveli i planeve të veprimit që do të dalin si dokumente përcjellëse të kësaj strategjie dhe kapacitet e institucioneve të Kosovës për t’i reazliuar ato, do të jenë përcaktuese për sigurinë dhe interesat e Kosovës gjatë kësaj dekade.

2. Jo, në Kosovë nuk ka gjasa të ketë luftë!

Në Prishtinë, disa opinionbërës me qëndrime dhe profile të ndryshme, i kritikuan deklaratat e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për rrezikun e një konflikti të armatosur, duke thënë se ai po flet për luftë teksa Kosova po mirëpret artistë nga gjithë bota në Manifesta Biennial dhe në festivalin Sunny Hill. Ndjellje frike dhe panike në një kohë kur Kosova ka nevojë të reflektojë siguri përballë investitorëve ndërkombëtarë, i quajtën liderët e opozitës deklaratat e Kurtit, që atë e shohin si një paranojak që flet për luftë, duke pasur këtu NATO-n që garanton sigurinë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm.

Në fakt, pothuajse të gjithë ata që e përjashtojnë rrezikun dhe mundësinë e luftës në Kosovë, nisen nga ideja që prania e trupave të NATO-s në Kosovë është garancia e garancive që askush nuk guxon ta sulmojë Kosovën. Sidomos ndjenjat e sigurisë forcohen nga prania e trupave amerikane, që ia kujtojmë e rikujtojmë rregullisht vetes tonë përmes sintagmës “e kemi kampin Bondsteel”, në sfond me dëshmitë e kujtimeve tona për intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999. Kjo siguri mund të betonohet, pas kërkesave zyrtare të Kryeministrit Kurti drejtuar autoriteteve amerikane, që kampi ushtarak Bondsteel të kthehet në një bazë të përhershme.

Nëse deklaratat e Kryeminstrit Kurti vihen në pikëpyetje nga kundërshtarët dhe kritikët politikë të tij qoftë edhe si kalkulime politike në rrafshin diskursiv, kjo nuk mund të aplikohet njësoj edhe ndaj qëndrimeve zyrtare të aleancës së NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stotenberg, pas bisedash në telefon me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, më 2 dhe 3 gusht, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se NATO përmes misionit të saj KFOR, është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë nëse rrezikohet stabiliteti. E tëra kjo erdhi pasi një ditë para se Kosova të niste zbatimin e vendimit të qeverisë për reciprocitet në raport me targat dhe dokumentet serbe, më 31 korrik, serbë lokalë bllokuan me kamionë rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, duke rrezikuar përballjen me policinë e Kosovës.

Serbë lokalë? Në fillim të gjërave, të thuhet që fjala është për një nga zonat më të kriminalizuara në Europë, ku prej dy dekadash kontrabandohen mallra nga ushqimet dhe karburantet, deri te armët dhe narkotikët. Kontrolli jo i plotë i institucioneve të Kosovës mbi këtë territor dhe infiltrimet permanente të Serbisë mbi të, kanë bërë që veriu i Kosovës të jetë një oazë e krimit të organizuar ekonomik dhe parapolitik, si dhe një zonë e ndjeshme ku fërkimet mes shqiptarëve dhe serbëve mund të prodhojnë realisht konflikt të armatosur, pavarësisht mosbesimit të kujtdo. Serbia ka ndarë çdo vit qindra miliona euro për të mbajtur aktivë dhe kontrolluar struktura kriminale të serbëve lokalë dhe ka toleruar të gjitha informalitetet e mundshme mes tyre, për të patur më shumë se një dorë jozyrtare të pranisë së saj në atë zonë. Deri sot, ajo e ka përdorur këtë armë të saj me shumë efikasitet si një tentakulë destabizilizuese sipas nevojave dhe interesave të Serbisë karshi Kosovës.

3. Lufta nuk ka përfunduar!

E thënë disa herë në publik në formë kurioziteti, Mitrovica është i vetmi qytet i Kosovës që nuk ka datë zyrtare të çlirimit. Kjo për faktin se ky qytet nuk u çlirua asnjëherë nga ata që e çliruan Kosovën në qershor 1999. Ato ditë, KFOR-i francez e ndau me plan Mitrovicën, kurse UÇK-ja e lejoi këtë ndarje, me apo pa dijeni qoftë dhe duke mos e pamundësuar. Për ata që duan referenca dhe dëshmi për këtë, përveçse në librin “Luftëtarët e paqes” i shkruar nga Bernard Kouchner, kryeadministrator i Kosovës (PSSP) më 1999-2000 dhe dëshmive të dëshmitarëve shqiptarë banorë të Mitrovicës apo qoftë ushtarë të UÇK-së, mund të gjejnë edhe videodëshmi online duke kërkuar mes kronikave të kohës, të realizuara nga agjenica e lajmeve Associated Press (AP).

Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të armatosura serbe të quajtura “Rojet e Urës”, pasi vranë 10 shqiptarë i dëbuan 12 000 shqiptarë nga shtëpitë e tyre, duke bërë një spastrim selektiv etnik të veriut të Mitrovicës. Kjo ndodhi kur kishin kaluar plot 8 muaj nga futja e trupave të NATO-s në Kosovë dhe largimi i ushtrisë serbe. Në Mitrovicë dhe në veri të Kosovës, ishte e qartë që lufta nuk kishte përfunduar. 22 vite më pas, lufta nuk ka përfunduar as sot në veri të Mitrovicës. Të 12 mijë shqiptarët e dëbuar asnjëherë nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, kurse siguria në atë zonë është një gjendje e brishtë që më shumë ka formën e një “konflikti të ngrirë”, një term ndërkombëtar ky i përdorur për shumë vende në botë ku ka patur konflikt dhe ku gjendja është e atillë që ato konflikte mund të rindezen.

Është për tu shënuar që një vit më parë, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Kryeministri Kurti i pati paraqitur Presidentit Vuçiq një deklaratë të përbashkët të paqes përmes së cilës të dyja vendet do të zotoheshin për mos-sulm. E tepërt të thuhet që Vuçiqi pati refuzuar ta nënshkruajë pa e lexuar fare. Në këtë pikë është e domosdoshme të rikujtohet që Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka qenë një nga ministrat e dikurshëm të Sllobodan Millosheviqit. Ai ka refuzuar çdo nismë a kërkesë për të kërkuar falje për krimet e luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë dhe në përgjithësi për tu përballur me të kaluarën e shtetit serb gjatë viteve të luftërave që e shpërbënë Jugosllavinë.

4. Lufta mbetet e paparashikueshme!

Paparashikueshmëria është elementi mbase më përcaktues i historisë. Për Yuri Lotmanin, paparashikueshmëritë në histori janë shpërthime që ndryshojnë kahjet e drejtimeve historike. E pashmangshmja mund të bëhet brenda ditës e pamundur, siç e pabesueshmja mund të bëhet të nesërmen realitet. Megjithëse e tërë historia e njerëzimit është e shoqëruar me luftëra, lufta ka një rregull të pandryshueshëm, që Clausewitzi e ka artikuluar në formën e postulatit “lufta është e paparashikueshme”. Ja, askush nuk kishte parashikuar që ushtria dhe populli ukrainas do të mund t’i bënte ballë ushtrisë së fuqishme ruse më shumë se 3-6 ditë, por 6 muaj pas invadimit rus të Ukrainës, ushtria e saj e ndihmuar me armatime edhe nga jashtë, po vazhdon të luftojë suksesshëm përballë ushtrisë së Rusisë. Ose, edhe më paraprakisht, pak kush i kishte besuar parashikimet për një luftë të mundshme mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila madje u mundua të shmangej deri në momentet e fundit. Mirëpo ja që lufta nisi në mes të Europës dhe madje në përmasa masive, që hapën diskutime edhe për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, të përdorura vetëm dy herë në fund të Luftës së Dytë Botërore. Edhe diskursi politik të kujtonte atë kohë, me deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin, që invazionin e urdhëruar nga vetë ai, e quante “aksion special ushtarak për denazifikimin e Ukrainës”.

Lufta në Ukrainë e ka kthyer fjalën “Kosovë” në diskursin ndërkombëtar në një nivel të frikshëm, pasi që ajo u përmend tre herë nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin në deklarimet e tij publike, si një paralele për shpalljen e pavarësisë së dy krahinave të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si dhe njohjes së tyre nga Rusia. Putin e njeh fare mirë rastin e Kosovës edhe personalisht. Gjenerali amerikan Wesely Clark që ka drejtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi më 1999, pati thënë që kishte qenë vetë Putin ai i cili kishte orkestruar hyrjen e një kontrigjenti ushtarësh rusë në Aeroportin e Prishtinës në qershor 1999, të cilin ushtarët amerikanë e patën detyruar të largohej. Ndërkohë që ministri më jetëgjatë në qeveritë e Vladimir Putinit, ai i punëve të jashtëm Sergej Lavrov, pati ardhur personalisht në Kosovë më 2005 për të hapur Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Prej atëherë, ajo është një nga zyret diplomatike me stafin më të madh në Kosovë, megjithëse aktiviteti i saj është zhvilluar krejtësisht në heshtje. Rusia ka interesa të drejtpërdrejta në Ballkan, veçanërisht pas invadimit të Ukrainës. Ndërhyrje të tilla ka përjetuar Mali i Zi disa herë, që u ka shpëtuar disa tentimeve për puqe të nxitura nga elementë prorusë. Gjatë shekullit të XIX, Mali i Zi ishte bartës i projektit rus pansllav në Ballkan deri në Luftën e Parë Ballkanike, kur primatin e këtij projekti e mori Serbia për ta mbajtur deri sot.

Kur më 30 shtator 1938 u nëshkrua Marrëveshja e Munichut, mes Gjermanisë së Hitlerit, Italisë së Musolinit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, kryeministri britanik Neville Chamberlain u kthye në Londër duke i kumtuar publikut që nuk do të ketë luftë. Por pak pa u mbushur një vit nga kjo marrëveshje, më 3 shtator 1939, ishte po kryeministri Chamberlain dhe kryeministri francez Édouard Daladier, që së bashku kishin vendosur firmat në Munich, ata që i shpallën luftë Gjermanisë, dy ditë pasi Adolf Hitler kishte urdhëruar invadimin e Polonisë. 1 shtatori i vitit 1939, data kur tanket gjermane kaluan kufirin dhe hynë në terrritorin polak, në histori konsiderohet si fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Por preludi i saj ishte shenjuar që më parë, ndër tjera edhe nga pushtimi i Mbretërisë së Shqipërisë nga Mbretëria e Italisë, më 7 prill 1939. Sikur vëmendja dhe reagimet ndërkombëtare për pushtimin e Shqipërisë të kishin qenë më të ashpra dhe sikur rezistenca shqiptare të kishte qenë më e madhe, fillimi i Luftës së Dytë Botërore do të mund të ishte kërkuar nga historianët më 7 prill 1939. Por atë kohë, ushtria shqiptare kishte rezistuar vetëm disa orë duke humbur 22 ushtarë, përballë ushtrisë superiore italiane prej 40 000 trupave, prej të cilëve u vranë 11. Në mungesë të rrugëve të shtruara, ushtrisë italiane iu deshën 3 ditë për t’i pushtuar 28 mijë kilometrat katrorë të Mbretërisë së Shqipërisë, teksa Mbreti Zogu I, e lëshoi vendin pa rezistencë

. Kurora shqiptare iu dha Mbretit të Italisë Viktor Emanuelit III, që u bë mbret edhe i Shqipërisë dhe Etiopisë, por Shqipëria e asaj kohe ishte shumë e parëndësishme për të prishur balancat ndërkombëtare edhe ashtu të luahtshme të Fuqive të Mëdha. Gjashtë muaj më pas, kur e njëjta ngjau me Poloninë, balanca nuk ishte më e mundur dhe Lufta e Dytë Botërore shpërtheu. Të dhënat janë të njohura, por mes tyre për tu shquar është fakti që mbi 50 milionë njerëz u vranë ose vdiqën gjatë gjashtë viteve luftë, kohë kjo kur bota pa disa nga mizoritë më ekstreme të shkaktuara nga specia njerëzore.

A rrezikohet Kosova nga lufta?

Më 2021, ushtria amerikane bashkë me ushtritë e saj aleate zhvilloi ushtrimin Defender 21, më të madhin ushtrim ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga Baltiku deri në Ballkan, 28 mijë trupa ushtarake nga 27 vende të ndryshme, mes të cilëve edhe rreth 300 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, “luftuan” kundër një armiku të koduar por që qartazi ishte ushtria ruse me aleatë. Serbia ishte i vetmi vend në Ballkan që nuk mori pjesë në Defender 21. Duke qenë se ishte vend pritës, Kosova priti disa qindra trupa amerikane, që ishin të parat trupa ushtarake që kanë zbarkuar në Kosovë jashtë mandatit të KFOR-it. Përse ushtria amerikane në një ushtrim të tillë, përfshiu stëvitje për një luftë të mundshme hibride në Kosovë? Vitin e ardhshëm, në një stëvitje përcjellëse të quajtur Defender 23, përfshirja e trupave të FSK-së do të jetë shumëfish më e madhe.

A rrezikohet Kosova nga lufta?

A rrezikohet Kosova nga lufta?

Lufta është dhe mbetet e paparashikueshme! Kudo, kurdo dhe sido mund të ketë luftë, andaj përveçse e paparashikueshme, lufta mbetet dhe e papërjashtueshme. Duke qenë aleat me aleancën më të madhe ushtarake në botë, ju jeni i sigurt prej armiqëve të saj, po aq sa edhe i atakueshëm prej tyre. Me Rusinë që lufton në Ukrainë dhe destabilizon në Ballkan, me Serbinë që aramatoset vazhdimisht, me ShBA-në që ka intensifikuar përfshirjen e saj në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, me Kosovën që është rikthyer si rast-argument në marrëdhëniet ndërkombëtare, një konflikt i armatosur në Kosovë është i mundshëm sepse mund të bëhet edhe “i nevojshëm”.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...