Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit nxorën fitues në Mitrovicë të Veriut kandidatin e LVV-së për kryetar të kësaj komune, Erden Atiq.
Ndonëse zgjedhjet u organizuan në rrethana jo të zakonshme dhe pati një pjesëmarrje të ulët të votuesve, ato u shpallen të vlefshme dhe kryetarit i mbeti vetëm të nisë punën.
Në një intervistë për Indeksonline, Atiq thotë se këta muaj të qeverisjes nuk kanë qenë të lehtë, qoftë në aspektin administrativ, ashtu edhe në atë praktik.
Atiq thotë se komunën e ka gjetur me probleme të akumuluara, të cilat po mundohet t’i zgjidhë në këtë mandat të përgjysmuar. Hendikepin më të madh e ka hasur në stafin e reduktuar të Komunës, e që ka ndikuar në ngadalësimin e punës në terren.
Në anën tjetër, teksa është bërë presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Mitrovica e Veriut u anëtarësua në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Sipas Atiq, ky ka qenë një prej hapave më pozitivë të ndërmarrë në këtë komunë.
“Sa i përket asociacionit, ka qenë një hap shumë pozitiv. Është mirëpritur jo vetëm në komunën tonë por edhe në komunat tjera. Fatmirësisht, tash e kanë marrë edhe tri komunat tjera [veriore] këtë hap dhe shpresojmë qe në kohën më të përafërt, sapo të kalojnë hapat e domosdoshëm ligjorë, edhe ato do të anëtarësohen. Sa i përket bashkëpunimit me komunat tjera, jemi akoma në fazën fillestare, për shkak se anëtarësimi është vendim i ri dhe për momentin po bashkëpunojmë me komunat që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, respektivisht Besianën, Gjilanin dhe Shtimën. Jemi në komunikim që në ditët në vijim të tërheqim të gjitha beneficionet që na takojnë në kuadër të Asociacionit të Komunave” ka thënë Atiq për Indeksonline.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut thotë se asnjëherë nuk ka munguar bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit serb në këtë komunë, duke pohuar se dita-ditës po rritet numri i qytetarëve serb që po pajisën me certifikata, pasaporta dhe dokumente të Republikës së Kosovës.
“Bashkëpunimi nuk ka munguar asnjëherë… Ata kanë pasë çasje në shërbime, pa ndërprerë, edhe në ato ditë problematike dhe me tension. Ne jemi munduar sa më shumë t’iu qëndrojmë afër. Vërehet se ata janë ende në një atmosferë të shantazhit dhe presionit. Unë dhe kabineti im po mundohemi me iu përgjigjë kërkesave që kanë. Ato që kemi mujtë me i realizu, si ozurpimi i hapësirave publike, apo ndonjë problem të infrastrukturës, i kemi zgjidhë. Ka edhe të tjera që presin me u realizu këto ditë” shtoi Atiq.
Për Indeksonline, Atiq ka folur edhe lidhur me ndërtimin e dhjetë shtëpive në veri të vendit, duke thënë se pas çdo faze do shtohen nga 10 shtëpi të reja.