14/04/2024

Çfarë do të thotë për Serbinë njohja de facto e Kosovës?

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Njohja de facto e Kosovës – kjo është ajo që pritet nga Serbia.

Mesazhe të tilla kanë mbërritur ditët e fundit nga disa adresa evropiane – fillimisht nga liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, e më pas nga presidenti i Komisionit Evropian.

Toby Vogel nga Këshilli Ndërkombëtar për Politikat e Demokratizimit në Bruksel vlerësoi se kjo është një ashpërsim i fjalorit nga Bashkimi Evropian.

“Njohja de facto nuk është thënë në mënyrë eksplicite më parë, por ka qenë gjithmonë evidente se një zgjidhje gjithëpërfshirëse në fund të dialogut do të nënkuptonte se Serbia në një farë mënyre njeh sovranitetin e Kosovës. Tani jemi në fazën kur kjo thhet qartë ”, deklaroi Vogel për Evropën e Lirë (edicioni në gjuhën serbe).

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë më 30 tetor, tha se Kosova duhet të krijojë një Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kurse Serbia de fakto ta njohë Kosovën.

Një ditë më vonë, në Beograd, ajo shpjegoi se njohja de fakto e Kosovës nënkupton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ndër të tjera parasheh edhe njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia.

Në Marrëveshjen e Ohrit nuk përmendet njohja e Kosovës, por marrëveshja parasheh që Serbia të njohë simbolet shtetërore të Kosovës, të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të respektojnë reciprokisht integritetin territorial dhe sovranitetin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 shkurt në Bruksel arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe më 18 mars, një aneks të zbatimit të kësaj marrëveshjeje u dakordua në Ohër, transmeton Telegrafi.

Serbia dhe Kosova po negociojnë nën patronazhin e BE-së për të normalizuar marrëdhëniet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Analisti Toby Vogel vlerësoi se qëndrimi i Brukselit është ashpërsuar edhe sepse Serbia po thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk e obligon atë.

“Këtë e ka treguar presidenti Vuçiq në deklaratat e tij. Çdo vëzhgues neutral do të konkludonte se nuk ka marrëveshje të Ohrit”, tha Vogel.

Thirrja drejtuar Beogradit për të njohur de fakto Kosovën paraqet ndryshim të qëndrimit të mëparshëm se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është obligim i Prishtinës.

Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ishte dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015 konstatoi se marrëveshja nuk ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën.

Tani thuhet se zbatimi i marrëveshjes duhet të shkojë paralelisht, pra që edhe Prishtina edhe Beogradi të kryejnë obligimet e tyre.

Ky ndryshim vjen pas ngjarjeve në Banjskë më 24 shtator, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës. Atëherë u vra një polic i Kosovës, si dhe tre sulmues.

“Sa i përket Banjskës, mendoj se do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të kthehej në rrjedhën e zakonshme të dialogut, sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, beson Vogel.

Çfarë porositën zyrtarët evropianë dhe amerikanë?

Para Presidentes të Komisionit Evropian, pritshmërinë se Serbia de facto duhet ta njohë Kosovën e kanë shprehur liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë Olaf Scholz, Emmanuel Macron dhe Georgia Meloni më 27 tetor në një deklaratë të përbashkët.

Ata thanë se të dyja palët “duhet t’i përmbushin obligimet e tyre paralelisht hap pas hapi”.

Për nevojën e zbatimit paralel ka folur edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, transmeton Telegrafi.

Ai në një postim në Facebook më 30 tetor ka thënë se edhe Serbia ka shumë obligime të papërmbushura nga Marrëveshja.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill nuk ka dashur të komentojë mesazhet për njohje de facto, por ka thënë se “po flasim për elemente konkrete që janë në tavolinë dhe për të cilat besojmë se janë dakorduar nga të dyja palët”.

Më 31 tetor, ai u tha gazetarëve se elementi më i madh, që është më i rëndësishmi për Serbinë, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...