Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sadiku, u shpall të martën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.
Dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta paguajë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënimin e shqiptuar me gjobë, gjykata dënimin me gjobë do t’ia zëvendëson më dënim me burgim, dukë iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.
I njëjti obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogaritën nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë, e 20 euro tjera për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.
I dëmtuari në këtë rast deputeti Abdullah Hoti nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike.
Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh në gjykatën e shkallës së dytë.
Paraprakisht, në sesionin e paraditës, gjykata aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie që i akuzuari Sadiku e ka arritur me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërsa, i akuzuari i kërkoi falje publike të dëmtuarit Hoti.
“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.
Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor 2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “Facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri Reshat Sadiku, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “Facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën.
Me këtë, i pandehuri Sadiku ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja”.