Në Shqipëri, përpjekjet mes dy grupimeve të Partisë Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për të shkuar me një kandidat të vetëm në zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit, kanë dështuar përfundimisht.
Deputetët që njohin si drejtues kryetarin e grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj bënë sot përgjegjëse palën tjetër, që mbështet ish kryeministrin Sali Berisha, e cila sipas tyre kishte refuzuar çdo propozim duke dëshmuar siç theksuan në një deklaratë “mungesë sinqeriteti dhe vullneti për gjetjen e një zgjidhjeje”.
Më 10 tetor, palët shprehën gatishmërinë e tyre për të biseduar mes tyre, në një përpjekje për të kapërcyer ndarjet e thella dhe mos përsëritjen e situatave si ato të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, kur PD u shfaq e dy kandidatë me sigla të ndryshme, që pasoi një humbje të 5 nga 6 bashkive ku po garohej për kryetar.