21/12/2024

GJENERATA E TIK TOKUT DHE VJEDHJA E VËMENDJES

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Më herët, kur dikush dëshironte ta përvetësojë ose kultivojë shprehinë e leximit të librave i drejtohej dikujt me fjalët: Kur marr ndonjë libër për të lexuar, më kap kotja dhe ndiej mundim, andaj më ndihmo!
Përgjigjja në këtë rast i jipej me fjalët: Së pari përzgjidh ndonjë tematikë që ke dëshirë të lexosh rreth saj, si fjala vjen, ndonjë tregim apo diç të ngjashme dhe fillo me leximin e pesë-gjashtë faqeve në ditë. Pas një jave rrite dozën e leximit në dhjetë faqe, e kështu me radhë, derisa të arrish ta kultivosh këtë shprehi gradualisht me kalimin e kohës. E pastaj, kur ajo mishërohet në veten tënde nuk do të gjesh kurrfarë vështirësie. Përkundrazi, do të bëhet pjesë e personalitetit tënd.
Edhe sot, të njëjtën këshillë duhet t’ua përcjellim shumë njerëzve por në një format tjetër.
Në kohën e rrjeteve sociale shumë njerëzve duhet t’iu drejtohemi me këto fjalë: Që të arrish dëgjimin e ndonjë ligjërate fetare që zgjat gjysmë ore apo më tepër duhet t’i ndërmarrësh këta hapa: Së pari fillo me dëgjimin e videove të shkurtëra (short) një minutëshe, pastaj kalo tek videot me kohëzgjatje pesë minutëshe e kur arrihet vëmendja dhe koncetrimi i duhur kalo tek ato dhjetë minutëshe e kështu me rradhë.
Kështu qëndron çështja edhe në rastin e shkrimeve.
Iu thuhet: Së pari duhet të fillosh me leximin e postimeve që i kanë dy rreshta, pastaj ato që përmbajnë 6-7 rreshta, derisa, më në fund të arrish ta përqendrosh vëmendjen në leximin e postimit sikurse ky që e kam shkruar.
Në një botë ku të gjitha burimet e njohurive si librat, ligjëratat dhe dokumentarët janë të disponueshëm më shumë se kurrë më parë, duket se njerëzit nuk janë në gjendje ta marrin atë njohuri. Shpesh kemi qenë të prirur ta interpretojmë këtë fenomen si “mungesë vullneti” ose “ulje vullneti”, por problemi është më i madh se kaq. Faktori kryesor për marrjen e çdo lloj njohurie, që është “vëmendja”, thjesht është vjedhur nga ne.
Me rritjen e përmbajtjes së disponueshme, shfaqet nevoja urgjente që të ndalemi së ndjekuri dhe përcjelluri çdo temë apo ngjarje që shfaqet. Ndodh kështu, sepse, një temë dhe çështje e re shpejt shfaqet në skenë. Thënë më troç, temat konkurruese janë bërë më të mëdha se aftësia jonë e kufizuar për t’u kushtuar vëmendje atyre, koha që e kemi në dispozicion për të kuptuar dhe menduar thellë zvogëlohet, ndërsa jemi bërë më të prirur për ndjekje të shpejtë të ngjarjeve apo çështjeve dhe më të hutuar.
Kompani të mëdha korrin fitimet e tyre nga tërheqja e vëmendjes sonë dhe përdorin të gjitha mjetet e mundshme dixhitale për ta bërë këtë. Ne po përballemi me një ushtri mediash, sidomos argëtuese dhe kompani reklamuese që thjesht konkurrojnë për vëmendjen tonë.¹
Trendi i vjedhjes së vëmendjes është në rritje e sipër. Por, çfarë qëndrimi duhet të ketë besimtari përballë kësaj? A mund të qëndrojë i palëkundur para kësaj stuhije? Për mendimin tim, sot të qëndrosh stoik para këtij uragani i cili kapërdin dhe përpin çdo gjë që gjen para vetes, është shumë e vështirë.
Ata besimtarë që kanë formim të mirë fetar dhe intelektual padyshim se e kanë më lehtë, por problemi qëndron tek gjeneratat e reja dhe tek ata që nuk posedojnë njohuri fetare të sistematizuara, sidomos në çështjet thelbësore si ato të besimit (akides).
Duke pasur parasysh këtë trend të ri global që përmendëm më lart, ekziston rreziku i madh për keqkuptimin e fesë dhe lehtësia e thithjes së dyshimeve. Kjo, ngase ai i cili vazhdimisht dëgjon video apo audio short dhe lexon postime me nga një rresht apo dy rreshta, ndërsa nuk posedon njohuri fetare të sistematizuara paraprakisht, mozaiku i dijeve fetare do të jetë shumë i shpërfytyruar në mendjen e tij.
Dikush mund ta shtrojë pyetjen: Shumë prej hoxhallarëve që postojnë këso lloj thëniesh të shkurtra apo prerje videosh short nga ligjëratat e tyre, a mund të themi se po i kontribuojnë këtij trendi?
Përgjigjja është se shumë prej hoxhallarëve kanë mbajtur seri ligjëratash në lëmi të ndryshme fetare, të akides, komentimit të haditheve, tefsirit, etj. Ato janë lehtë të disponueshmë për këdo që është i interesuar. Por, arsyeja pse disa postojnë këso lloj thëniesh e short videosh e audiosh qëndron në dëshirën e zjarrtë për përhapjen e fesë anembanë duke pasur parasysh edhe konkurrencën e madhe serioze të qarqeve të tjera që mundohen të vjedhin vëmendjen nga njerëzit për qëllime dashakeqe e materialiste.
Rreziku i këtij trendi është se prodhon informata të shumta por jo dije. Qëllimi i secili besimtar duhet të jetë formimi i mirëfilltë intelektual dhe fetar sa i përket çështjeve të besimit, fikhut, etj, dhe duhet ta luftojë vetveten e tij duke u munduar që të marr pjesë në ligjëratat që mbahen nga hoxhallarët e besueshëm dhe kompetentë apo që çështjet e besimit (akides) t’i mësojë në mënyrë sistematike.
Konsideroj se ky shkrim është një përpjekje modeste për ta trajtuar këtë problematikë serioze dhe këtë trend të ri global. Është çështje që më ka preokupuar dhe vazhdon ende të më preokupojë. Ndoshta mund të jetë nismë e mbarë që edhe të tjerët të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi, duke u munduar kështu të dalim nga ky qorrsokak me dëmet më të vogla të mundshme.

1)Për më shumë rreth problematikës së vjedhjes së vëmendjes konsulto librin: “Stolen focus: Why you can’t pay attention?” të autorit Johhan Hari dhe artikullin e shkruar në gjuhën arabe nga autori Ajet Memduh me titull:
“الانتباه المسلوب”.. وقائع السرقة الأسوأ في زمان التكنولوجيا

Shkroi dr.Muhamed Broja
19.08.2023 Mitrovicë

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...