Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar qytetarët se me datën 1 tetor fillon vaksinimi kundër gripit.
Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gripi sezonal është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përhapet lehtë dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht tek: fëmijët me imunitet të dobësuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.
“Simptomat më të zakonshme janë: ethet, kollitja, dhimbjet e muskujve, lodhja dhe dhimbjet e kokës. Vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj nga gripi dhe komplikimet e tij”.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se punonjësit shëndetësorë rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë.
“Po ashtu, gratë shtatzëna rekomandohen të vaksinohen për mbrojtje të plotë të tyre dhe të foshnjës. Profesione të tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen janë: punëtorët e Policisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar”.
Vaksinimi kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK).