Izraeli ka lëshuar një urdhër evakuimi për qytetin e Gazës, zonë kjo e cila është përballur me shkatërrim të gjerë që nga fillimi i luftës në enklavën palestineze.
Urdhri i evakuimit thuhet të tregojë një rritje të veprimeve ushtarake izraelite në qytet, me banorët që tashmë kanë raportuar për bombardime intensive në zonat lindore dhe jugore.
Ky lajm vjen pasi bisedimet për armëpushim pritet të rifillojnë këtë javë, me disa zyrtarë që thonë se shkatërrimi i shkaktuar nga ofensiva izraelite ka të ngjarë të ndihmojë në zbutjen e kërkesave të Hamasit.
E kjo lëvizje besohet të ketë ngjallur shpresa për përparim në negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht, shkruan euronews.
Deri më tani,Hamasi ka kërkuar që trupat izraelite të largohen plotësisht nga Gaza dhe që lufta të përfundojë, ndërsa Izraeli këmbëngul se nuk mund dhe nuk do ta ndalojë luftën përpara se të eliminohet Hamasi.
Bëhet e ditur se qeverisja e pasluftës dhe kontrolli i sigurisë i enklavës kanë qenë gjithashtu çështje të diskutueshme.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u mburr se presioni ushtarak – përfshirë ofensivën e vazhdueshme dymujore të Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah – është ajo që e ka shtyrë Hamasin të hyjë në negociata.
Zyra e Netanyahut njoftoi se një ekip negociatorësh izraelitë do të rifillojnë bisedimet këtë javë për një armëpushim me Hamasin, duke sinjalizuar përparim drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Gazë.