Raportet Kosovë-Hungari dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, ishte temë diskutimi ndërmjet Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Béla Bozsik.
Kryetarja e këtij komisioni, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se kanë kërkuar që t’i shtyjnë përpara çështjet që janë me interes të përbashkët.
Ndihmë, ka thënë se kanë kërkuar edhe në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, pasi Hungaria ka kryesimin e presidencës së BE-së.
“Kemi diskutuar për raportet që Kosova ka me Hungarinë, por me theks të veçantë për atë që Hungaria tashmë e ka kryesimin e presidencës së BE-së, dhe sigurisht se brenda kësaj periudhe kohore sa ata e mbajnë kryesimin e presidencës synimi është që ne si Kosovë t’i shtymë përpara çështjet që konsiderojmë se janë me interes të shtyhen përgjatë kësaj periudhe kohore. Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët që janë anëtar të Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe ideja është të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta dhe t’i bëjmë ata të kuptojnë sa e rëndësishme është të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje që ka të bëjë specifikisht me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin se kjo ndikon shumë edhe në rritjen e stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas edhe në vet BE-në”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.