“Vetëvrasja është fenomen shqetësues dhe në rritje në vendin tonë. Vetëvrasja është një nga problemet më reale të mundëshme”, kështu shprehet psikologja Sumea Ramadani lidhur me fatkeqësitë që ndodhën ditëve të fundit . “Nga statistikat rreth 400.000 persona në vit globalisht humbin jetën nga vetëvrasja, që i bie në çdo 40 sekonda dikush vetëvritet dhe në çdo 8 sekonda dikush tenton vetëvrasjen, pra është një fenomen real të cilin duhet ta pranojmë si kërcënim global pastaj edhe lokal”, tha Ramadani. Ajo potencoi se është mjaft i dukshëm dhe i trishtë ky fenomen, prandaj siç tha ajo duhet t’i përkushtohet shumë vëmendje.
Ajo më tej thotë se shoqëria gjendet në një periudhë shumë të rëndë, ku kanosen rreziqe të shumta, qoftë nga rreziqet sociologjike që jemi duke i përjetuar, nga rreziqet financiare që po kanosen globalisht dhe se këto rrethana ia pamundësojnë të rinjëve që ta gjejnë një ndjenjë përkatësie në shoqëri, ta ëndërojnë një të ardhme më premtuese dhe më optimiste. “Mirëpo me gjithë qenien time kam dëshirë që të apelojë tek masa më e gjërë, t’ia lehtësojmë jetën njëri tjetrit dhe të mos ia vështirsojmë” shprehet Ramadani.
Të pyetur nga TV SHENJA lidhur me vetëvrasjet e të rinjve në vend për vitin 2023, nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë vitit 2023, në RMV janë regjistruar 3 vetëvrasje të fëmijëve.
Sipas të dhënave të entit shtetëror të statistikave vetëm në vitin 2023 në RMV gjithsej 104 persona janë vetëvrarë.
Ndërkaq nga Instituti i shëndetit publik theksuan se vetëvrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjeve tek njerëzit e moshës 15 deri në 29 vjeç në botë. “Pak vende e kanë përfshirë parandalimin e vetëvrasjeve si prioritet shëndetësor dhe vetëm 38 vende kanë një strategji kombëtare parandaluese. Rritja e ndërgjegjësimit dhe thyerja e tabuve janë çelësi i përparimit. Pa këto ndryshime, parandalimi i vetëvrasjeve mbetet sfidë” thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.