NGUSHTIMI I DERISOTËM I KONCEPTIT TË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT DHE DOMOSDOSHMËRIA E RIVLERËSIMIT NË KONTEKSTIN HISTORIK DHE AKTUAL
Deri më sot, jemi mësuar t’i shënojmë përvjetorët e ngjarjeve të rëndësishme nga e kaluara jonë historike, kryesisht në frymën e rrethanave politike dhe kulturore, siç na i kanë imponuar kushtet shoqërore, por me ndryshimin e kohës duhet të ndryshojë edhe qasja ndaj këtyre ngjarjeve, përderisa përditë e më tepër nga burimet e reja historike kuptojmë se, gjithçka që është thënë dhe shkruar deri më sot, jo gjithmonë përkon me të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje.
Nevojë për një rivlerësimin ndryshe të kësaj ngjarje, me asgjë nuk e zbeh rëndësinë historike të saj, përkundrazi e pasuron dhe i jep dimensione të reja më kuptimplota, që mund të shërbejnë edhe në të ardhmen, si përvojë dhe mësim në rrugëtimin dhe zhvillimin e kombit shqiptar në kontekst të ngjarjeve aktuale dhe sfidave në të ardhmen.
Meqë është shkruar e folur mjaftueshëm për këtë ngjarje deri më sot, nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj, me këtë rast, në shënimin e këtij përvjetori dhe përvjetorëve të ardhshëm, duhet t’i kushtojmë kujdes dimensionit strategjik të kësaj ngjarje, për të mos e ngushtuar vetëm në interesat konjukturale, nga ngurrimi se mos prekim interesat e sotme të popujve dhe shteteve të krijuara pas Lidhjes së Prizrenit.
Nuk kemi pse i shtrembërojmë faktet dhe interpretojmë burimet sipas interesave tona të djeshme e të sotme, përderisa ato janë fakte, të cilat i kanë të njohura edhe qarqet e huaja shkencore, si edhe qendrat politike e diplomatike të shteteve fqinje, ato evropiane dhe botërore.
Sipas Programit të Lidhjes së Prizrenit, nuk është synuar mbrojtja vetëm e trojeve etnike shqiptare e katër vilajeteve*, siç i mendojnë sot disa studiues shqiptarë, por me forcën e armëve krerët e Lidhjes janë betuar ta shtrijnë pushtetin e Lidhjes, jo deri në Plavë e Guci, në Shkodër, Prishtinë e Shkup, por edhe më përtej në veri, në Sanxhakun e Pazarit të Ri dhe në Bosnje e Hercegovinë, për mbrojtjen e tyre nga ekspansionizmi serbomadh, si edhe në jug, nga Janina deri në pjesët më të skajshme të Epirit historik, në mbrojtje të tyre nga pretendimet grekomadhe.
Për më tepër, lexojeni dokumentin në vazhdim, i cili është njëri nga tre dokumentet kryesore të miratuara nga Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, me nënshkrimet e përfaqësuesve të këtyre qyteteve dhe rajoneve:
DEKRETI I LIDHJES SË PRIZRENIT*
Dekret për organizimin e Ushtrisë së Lidhjes dhe vendosjen e njësive të saj aty ku nevojiten.
Neni 1
Për mbrojtjen e rajonit të Gucisë dhe Rugovës, 2000 ushtarë nga Gjakova do të dërgohen në Guci dhe 1000 nga Peja në Rugovë. Të gjithë këta ushtarë i përkasin divizionit të Kosovës.
Neni 2
Meqenëse Gjakova ka forca të mjaftueshme për t’u mbrojtur, 1000 burra do të rekrutohen në Pazar të Ri dhe do të dërgohen për ta mbrojtur Kollashinin.
Neni 3
Meqenëse popullsia vendase nuk është në gjendje ta mbrojë Çajniçen, Tashlixhen [Pljevlje] dhe Foçën, 2000 burra nga ushtria e Pazarit të Ri do të dërgohen në ato rajone.
Neni 4
Një ushtri do të formohet edhe në Hercegovinë. Trupat e kësaj ushtrie do të përbëhen nga 30.000 burra të rekrutuar nga popullsia e Sanxhakut të Hercegovinës dhe trupat e grumbulluara në Sarajevë. Kjo ushtri do të mbrojë rajonin nga Gacka deri në Trebinjë.
Neni 5
Rajoni nga Banja deri në Priboj do të mbrohet nga ushtria e Pazarit të Ri, e cila në rast nevoje do të luftojë me armikun në këtë zonë. Ajo do të bashkohet në Priboj me ushtrinë e Sarajevës.
Neni 6
Një tjetër ushtri do të formohet në Pazar të Ri. Kjo ushtri do të përbëhet nga shqiptarë, duke mos llogaritur vetë banorët e Sanxhakut dhe do të arrijë në 20 mijë burra, pa llogaritur banorët e rajonit, të cilët do ta plotësojnë këtë ushtri.
Neni 7
Në Kosovë do të krijohet një ushtri e përbërë nga shqiptarë. Kjo ushtri do ta mbrojë rajonin nga Mitrovica deri në kazanë e Gjilanit dhe do t’i bashkojë forcat me ushtrinë e Shkupit në atë zonë. Ajo do të përbëhet nga 70.000 burra.
Neni 8
Në Shkup do të formohet edhe ushtria e cila do të marshojë drejt Pallankës me qëllim të bashkimit të forcave me ushtrinë e Kosovës. Ajo do të përbëhet nga 40.000 burra.
Korpusi i Shkodrës do të përbëhet nga 30.000 burra. Kështu, numri i përgjithshëm i trupave në ushtrinë kombëtare (pa përfshirë Korpusin e Sarajevës), do të arrijë në 190.000, të ndarë në 380 batalione (150.200 këmbësorë dhe 39.800 kalorës).
Në këtë mënyrë ne nënshkruajmë dhe vendosim vulën tonë në këto udhëzime të përbërë nga nëntëmbëdhjetë nene dhe në këtë dekret të përbërë nga tetë nene, të miratuar me nënshkrimin tonë, në mënyrë që institucionet përkatëse të veprojnë në përputhje të plotë me përmbajtjen e tij dhe që dispozitat e tij të mbahen në fuqi, në kohë lufte dhe në kohë paqeje.