Dr. Shefqet Krasniqi
Filloi viti 2023, ndërsa njerëzit presin një vit më të mirë për ta sesa viti i kaluar. Mirëpo realiteti thotë ndryshe, bota ka dekada që nuk ka qenë më keq sesa tani, që moti ajo nuk ka qenë më në rrezik sesa që gjendet tani, madje ky rrezik, apo këto rreziqe sa vijnë e shtohen.
Evropa dhe Azia në veçanti, e deri diku edhe Afrika, janë kontinentet që pritet të jenë shumë ‘të nxehta’ gjatë këtij viti dhe viteve në vijim. Kriza të mëdha politike, ekonomike kanë përfshirë një pjesë të madhe të botës, madje edhe Evropën, e cila është mësuar që të jetë larg çdo krize, tashmë ajo është bërë pjesë e saj, madje rreziku sa vjen e i shtohet.
Për ta shkurtuar ‘rrugën’ themi se krizat kryesore politike që do të na shoqërojnë gjatë këtij viti janë:
- Lufta Rusi-Ukrainë, e cila jo vetëm që nuk ka të ndalur, por ajo sa vjen e ashpërsohet, askush nuk e di fundin e saj sesi do të vjen dhe kur do të vjen. Të gjithë e dimë se, Rusia në krye me Putinin nuk është një kundërshtar i lehtë, nuk dorëzohet lehtë dhe nuk heq dorë lehtë nga ambiciet e synimet tij. Rreziku i Rusisë për shumë shtete evropiane është shumë i madh, zaten këtë e dinë shumë mirë të gjitha shtetet e Evropës.
- Gjendja e rëndë mes Armenisë dhe Azerbejxhanit, është një element tjetër shumë shqetësues, situata atje është tepër e tensionuar, është në prag të shpërthimit, veç sa nuk është ndezur fitili i barutit dhe fillimi i një lufte tjetër mes dy shteteve.
- Gjendja e rëndë në Ballkan, veriu i Kosovës është një fitil tjetër, i cili mund që të shpërthejë dhe ta ndezë një luftë të re në Ballkan. Serbët e veriut, bandat e grupet e ndryshme serbe të ushqyera nga ish-lideri i tyre kriminel Sllobodan Millosheviq, pastaj të përkrahura e të nxitura nga qeveria e tanishme e Serbisë, madje edhe vet qeveritarët serbë sa e sa herë kanë kërcënuar se do të hyjnë me forcat e tyre ushtarake në Kosovë, kinse për t’i mbrojtur serbët e Kosovës. Me pak fjalë, ata duan luftë. Këtë nxitje ata e marrin edhe nga rusët, të cilët janë të interesuar që Evropës t’ia ndezin edhe një fitil tjetër pos Ukrainës.
Gjendja e rëndë në Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës, është një rrezik tjetër dhe një fitil, i cili mund që të ndizet në çdo kohë. Serbët atje në Republikën e tyre, të cilën ‘ua dhanë’ Perëndimi, duan që t’i bashkohen Serbisë dhe ta bëjnë Serbinë e Madhe. Të gjithë analistët e përshkruajnë gjendjen atje si mjaft të tensionuar.
Këto janë krizat kryesore të cilat rrezikojnë stabilitetin evropian gjatë kohës së tashme, kjo përpos krizës ekonomike, e cila është një problem tjetër mjaft shqetësues.
- Gjendja e rëndë në Lindjen e Mesme, në veçanti mes Iranit dhe Izraelit, ku Izraeli sa e sa herë ka kërcënuar Iranin se do ta sulmojë ushtarakisht për t’ia shkatërruar centralin bërthamor. Ky rrezik tani është edhe më i madh, në veçanti pasi që në krye të Izraelit është Benjamin Natanjahu me një qeveri të cilësuar si shumë konservative. Po të ndodhte ky sulm, do të shkaktonte një ndezje të një fitili të një baruti, i cili me gjasë do të kishte pasoja të mëdha në tërë rajonin.
- Lufta në Jemen ende nuk ka të ndalur, grupi huthij shi’it i përkrahur nga Garda Republikane e Iranit vazhdon që të bëjë ‘kërdi’ atje.
- Gjendja e rëndë mes Kinës dhe Indisë, mes kufirit të të dy shteteve rreth 350 km, ku të dyja palët kanë vendosur mijëra ushtarë përgjatë kufirit. E dihet mirë se që të dy këto shtete kanë armë bërthamore, çfarë nënkupton se konflikti eventual mes këtyre dy vendeve do ishte katastrofal për tërë botën.
- Mundësia që Kina ta okupojë Tajvanin është më e madhe se kurdo herë më parë, madje kam përshtypjen se ky vit nuk do të përfundojë i qetë siç ka përfunduar viti i kaluar, e nëse nuk do ketë okupim të plotë, atëherë së paku Tajvani nuk do shpëtojë pa ndonjë ekces. Të gjitha analizat çojnë drejt një pike: Kina është e vendosur që ta ‘rikthejë’ Tajvanin. Në anën tjetër amerikanët, si fuqia më e madhe ushtarake e botës, janë të vendosur që ta mbrojnë Tajvanin. Kjo nënkupton se ndezja e çfarëdo konflikti në ishullin e Tajvanit, ka mundësi të madhe që gjendjen ta rëndojë edhe përtej atij ishulli.
Kina, ashtu sikurse Rusia, duan që t’i zgjerojnë kufijtë e tyre dhe të krijojnë perandori, ashtu siç kanë qenë dikur, e këtë nuk mund ta bëjnë pa luftë, sepse askush nuk iu falë atyre toka. Liderët e tyre për t’i realizuar këto aspirata, si duket, janë në gjendje që të bëjnë çmos, madje qoftë çmimi i saj edhe me vdekjen e qindra-mijëra ushtarëve të tyre.
- Kriza e madhe politike mes dy Koreve është një krizë tjetër, është një fitil baruti, i cili mund që të shpërthejë në çdo çast, në veçanti kur të gjithë e dimë se Korenë e Veriut e sundon një diktator që vërtet është i çmendur, madje më i çmendur sesa i çmenduri. Koreja e Veriut posedon armë bërthamore, ndezja e luftës atje do të ishte katastrofale.
- Gjendja e rëndë mes Japonisë e Rusisë dhe konflikti i dy vendeve rreth disa ishujve, të cilët i ka okupuar Rusia gjatë vitit 1945, pas Luftës së Dytë Botërore, e për të cilat Japonia pretendon se janë të saj. Japonezët veçse janë duke u përgatitur për një konflikt të mundshëm ushtarak atje, ata kanë kërkuar ndihmë të madhe dhe të sigurt nga perëndimorët, në veçanti nga anglezët dhe amerikanët.
- Gjendja e rënd mes fraksioneve e grupeve të ndryshme në Sudan, pastaj, raportet e këqija mes Sudanit e Egjiptit në njërën anë dhe Etiopisë në anën tjetër, shkak ndërtimit të një dige gjigande nga kjo e fundit dhe pakësimit të ujit të lumit Nil i cili kalon nëpër Sudan dhe Egjipt, është një fitil tjetër i cili mund ta ndez një luftë në Afrikën lindore.
- Përhapja e një virusi tjetër të ngjashëm me atë Covid-19, apo i njëjti, është një element tjetër shqetësues që pritet ta shoqërojë njerëzimin gjatë këtij viti.
*Në pika të shkurta këto janë sfidat kryesore, thuaj nëse do: Rreziqet, të cilat e presin njerëzimin gjatë këtij viti, mbase mund të ketë edhe rreziqe të tjera ‘të fshehura’, për momentin, e të cilat mund të shfaqen për çdo çast, të cilat mund të ndryshojnë shumë gjendjen e botës brenda një periudhe të shkurtër.
Për fund:
Pavarësisht krizave të lartpërmendura, pavarësisht asaj se ato a do të paraqesin rrezik për njerëzimin, apo jo, një gjë është e sigurt se bota më nuk është ajo që ka qenë, dhe nuk do jetë më ajo çfarë ka qenë.
Bota për çdo vit do të shkojë keq e më keq, gjërat do të ndryshojnë shumë gjatë viteve të ardhshme, shumë harta të botës do të ndryshojnë. Ne nuk duam që ta frikësojmë askënd, ashtu siç nuk duam që të pretendojmë se ne e dimë të ardhmen, atë e di vetëm Zoti i Madhëruar, porse ne i njohim ligjet e Zotit, e ndër ligjet e Tij është që kur njerëzimi të prishet shumë, kur zullumi të shtohet, kur njerëzit rebelohen ndaj Krijuesit të tyre, vjen ndëshkimi, e kjo do të thotë ndryshim i gjendjes për së keqi sigurisht, tani nga vjen ai ndëshkim, nga qielli, apo nga toka, e që kjo mund të jetë edhe me luftëra mes shteteve të ndryshme, varfëri, epidemi etj..
Pastaj, ne për çdo vit po i afrohemi fundit të botës, e fundi i botës do të jetë me ndryshime të mëdha e të shpejta. Mos të harrojmë se asgjë nuk ndodh në botë rastësisht, asnjë njeri nuk mund të vdesë, nuk mund të vritet pa lejen dhe dijen e Zotit, madje asnjë gjeth nga pema nuk mund të bie pa dijen e Tij, çdo gjë është nën vullnetin e Tij, ngase Ai është absolut, Ai është Zot i botës dhe i gjithësisë, e jo Kina e Rusia, e kushdo qoftë tjetër. Të gjithë njerëzimi, madje të gjitha krijesat janë brenda pushtetit të Tij dhe nën pushtetin e Tij. Për atë, ne muslimanët themi, siç na ka mësuar Zoti dhe i Dërguari i Tij se: pa dashur Zoti nuk bëhet asgjë, por edhe kur Ai do që të bëhet diç, nuk ka kush që e ndalë atë. Ndaj, ne e lusim Zotin që ta ruajë vendin tonë, të na ruajë nga çdo e keqe, nga çdo sherr dhe e ligë nga kushdo qoftë, neve dhe të gjithë myslimanëve! Amin!
13.01.2023