Konfliktet familjare dyshohet se çuan në vrasjen e Anton Prelës, dje në lokalin Coyote Lounge Bar, në Klinë, ku ai u qëllua me armë zjarri nga dhëndëri i tij. I dyshuari Tush Frroku, i cili po ashtu ishte dhëndër i Prelës, pasi ishin të martuar me motrat e njëri-tjetrit, tashmë është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Frroku ishte ekstraduar nga Italia në muajin shkurt të këtij viti, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Tashmë kanë kaluar më shumë se 12 orë prej kur Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim të dyshuarin, por i njëjti akoma nuk është kapur.
Gjithçka ndodhi pak para orës 17:00, kur në këtë lokal u dëgjuan të shtënat me armë. Ishte Frroku, ai që dyshohet se qëlloi në drejtim të Prelës, duke e lënë të plagosur dhe më pas iku me vrap nga vendi i ngjarjes, me qëllim arratisjen.
Teksa Policia u aktivizua për ta kapur, Frroku po dyshohet se ka kryer një vepër tjetër. Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, ai ka grabitur një veturë taxie në mes të rrugës, duke e kërcënuar shoferin dhe me të njëjtin automjet është arratisur.
Por siç duket, ai ka bërë një plan tjetër që të humb gjurmët. Sipas informacioneve të para, veturën e grabitur, pas bastisjeve, Policia e ka gjetur në shtëpinë e tij, ku i dyshuari e kishte lënë dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse, ku kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, teksa kërkimet për Frrokun po vazhdojnë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se pas rreth 3 vitesh prej kur ishte shpallur në kërkim, 48-vjeçari nga Istogu i dyshuar për vjedhje të rëndë, ishte ekstraduar në Kosovë më 14 shkurt nga shteti i Italisë dhe më pas ishte arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Frokaj, ishte shpallur në kërkim fillimisht nga Policia e Kosovës, në qershor të vitit 2020 dhe kishte arritur ta shijojë lirinë nga arratia.
Atë kojë, ai kërkohej në bazë të një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, për dy raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.