Është mbyllur pas rreth dy orë e gjysmë protesta e opozitës në ambientet e jashtme përballë Kuvendit të Shqipërisë.
Protesta u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Ashtu sikurse edhe në protestat e opozitës përballë Bashkisë Tiranë, edhe në këtë tubim u ndoq i njëjti skenar me djegien e gomave dhe hedhjen e vezëve në drejtim të policisë.
Si pasojë e përplasjes u plagosën lehtë dy efektivë të policisë, ndërkohë që uniformat blu përdorën dhe sprej lotjsellës për shpërndarjen e turmës.
Me pankarta në duar dhe nën thirrjet “Rama ik”, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.
Protesta e opozitës vjen pas investigimit të emisionit Rai 3, ku u hodhën akuza për lidhje të qeverisë me personazhe të inkriminuar. /Telegrafi/