Për vetëm shtatë minuta u miratua buxheti në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2024 në mes të kaosit të shkaktuar nga opozita.
Deputetët e opozitës kanë përmbysur karriget mbi foltoren e Kuvendit, kanë ndezur flakadanë ngjyrë blu dhe kanë hedhur kapsolla në shenjë proteste duke u përpjekur të pengojnë punimet e parlamentit.
Teksa deputetët e opozitës janë irrituar, mazhoranca ka votuar projekt-ligjet pa debat në një mënyrë të paprecedent.
Në seancë i pranishëm është dhe kreu i qeverisë Edi Rama.
Projektbuxheti i Shqipërisë për vitin 2024 parashikon shpenzime publike që tejkalojnë 7 miliardë euro për herë të parë dhe fokusohet në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe mbrojtjen sociale.
Buxheti i ri përfshin 11 miliardë lekë [104 milionë euro] për financimin e rritjes së pagave për administratën publike. Ministria parashikon që kostoja totale e reformës së pagave të arrijë në 39 miliardë lekë me përfundimin e saj. Qeveria miratoi një reformë që prek pagat e më shumë se 130,000 zyrtarëve qeveritarë në korrik.
Në buxhetin e vitit 2024 parashikohen edhe 71 miliardë lekë për shpenzimet e pushtetit vendor, me 10.4 për qind rritje nga viti 2023. Një pjesë prej 33 për qind e buxhetit do të mbulojë kostot e indeksimit të pensioneve dhe mbrojtjes sociale. Angazhimet e anëtarësimit në NATO do të arrijnë në 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. /Telegrafi/