Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka mohuar të jenë rrahur apo vrarë persona të mbajtur në pjesën që ai ishte përgjegjës. Si dëshmitar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ai ka deklaruar se ka ekzistuar përkujdese për të mbajturit në objektet e ndalimit.
Edhe në këtë seancë ka pasur vështirësi në dëgjimin e përgjigjeve të plota të dëshmitarit meqë në disa raste fjalia e tij nuk është transmetuar me zë prej fillimit të saj.
Pyetjet për të nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë përfunduar në ditën e tretë të dëshmisë së tij në Hagë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Clarie Lawson, ish-komandant Remi ka thënë se nuk ka qenë ndonjëherë në dijeni për ndonjë rast të rrahjes së personave të mbajtur në zonën e Llapit.
Prokurorja Lawson: Sot, e pranoni vendimin që ju shpalli përgjegjës për përgjegjësi të ndërmarrjes kriminale dhe përgjegjësi komanduese për ndalimin dhe keqtrajtimin e civilëve?
Mustafa: …unë e kam kundërshtuar përmes avokatëve të mi, pjesë të vendimit. Mirëpo kam pajtuar me vendimin final.
Prokurorja Lawson: E pranoni se të mbajturit në Zonën Operative të Llapit janë rrahur dhe janë vrarë?
Mustafa: Jo nuk e pranoj, nuk ka pasur sistem të rrahjes e të vrasjes, derisa kanë ardhur në komandën tonë, ata kanë mundur të rrahën gjatë rrugës por në objektet e ndalimit ata kanë qenë në kujdesje të mirë, nën përkujdesje të mirë.
Prokurorja Lawson: Pranoni se mund të ketë ndodhur që njerëzit mund të jenë rrahur në Zonën e Llapit pasi të jenë arrestuar?
Mustafa: Nuk kam qenë në dijeni por nuk e di, nuk mund ta përjashtoj, unë nuk kam qenë në dijeni për asnjë rast. Nuk kam pasur nevojë të jem i shqetësuar për këtë punë sepse nuk ka pasur raporte të unë.
Rrustem Mustafa nuk e ka mohuar se e ka vizatuar ndërtesën e Policisë Ushtarake në Llapashticë, që sipas tij ka qenë pranë shtabit.
Ai ka thënë se i ka parë disa prej të mbajturve në atë objekt.
Prokurorja Lawson: Dhe ju u patë disa prej të mbajturve përreth aty?
Mustafa: Po.
Prokurorja Lawson: Ju autorizuat apo urdhëruat disa prej arrestimeve, e saktë?
Mustafa: Po.
Prokurorja Lawson: Ju keni marrë vendime për vazhdimin e mbajtjes, apo për lirimin e disa prej të mbajturve, e saktë?
Mustafa: Të gjitha i kam nënshkruar.
Prokurorja Lawson: Ju merrnit informacion për rrethanat në të cilat janë kryer disa prej arrestimeve apo jo…Dhe ju e dini se disa njerëz kanë rezistuar apo jo…Dhe ju e pranoni se këta njerëz mund të jenë rrahur apo jo?
Mustafa: Unë them se derisa kanë hyrën në kontrollin e ushtarëve të mijë kanë mundur të rrahën, derisa është pamundësuar rezistenca e tyre.
Ndërsa pasi ka paraqitur një tjetër dokument në gjykatore, por duke mos e bërë të ditur për publikun, prokurorja ka insistuar në pyetjen nëse personat e mbajtur janë rrahur.
Kjo ka nxitur reagimin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ku avokati Luka Misetiq e ka kundërshtuar një metodë të tillë të pyetje.
Prokurorja Lawson: Realiteti është që rrahje kanë ndodhur apo jo?
Avokati Misetiq: E lejova të bëhen shumë pyetje sugjestive, e kundërshtoj një metodë të tillë.
Prokurorja Lawson: E vërteta është se kanë ndodhur rrahje apo jo?
Mustafa: Nuk është e vërtetë.
Prokurorja Lawson: Besoni se Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti ju kanë gënjyer lidhur me trajtimi që u kanë bërë të ndaluarve?
Mustafa: Besoj që përgjegjësitë e tyre ata i kanë ushtruar drejt dhe siç duhet.
Prokurorja Lawson: Dhe ju mund të kishit hyrë në qendrën e ndalimit në çdo kohë, nëse do të kishit pasur dëshirë.
Mustafa: Nuk ka pasur diçka që më ndalon mua, por nuk kam pasur asnjëherë arsye për me bë një gjë të tillë, ose me dyshu që atje po keqtrajtohet dikush.
Prokurorja Lawson: Ishte lejuar që bashkëpunëtorët madje edhe të ekzekutoheshin apo jo?
Mustafa: Asnjëherë, dhe nuk ka pasur raste të tilla zonja prokurore.
Prokurorja Lawson: A janë ekzistuar bashkëpunëtorë në zonën e Llapit?
Mustafa: Nëse mendoni që kanë ndodhur vrasje pa filluar lufta por edhe gjatë luftës, ne në luftë kemi qenë, por nuk ka person që është ndaluar dhe pastaj është ekzekutuar.
Prokurorja Lawson: A e keni autorizuar ju vrasjen e bashkëpunëtorëve?
Mustafa: Nuk kam autorizuar asgjë unë, pro marr përsipër gjithçka që ka ndodhur në komandën time dhe që ne publikisht jemi shprehur për këto raste.
Prokuroja Lawson: A keni vrarë ndonjë bashkëpunëtorë?
Avokati Emerson: Janë lejuar pyetjet në bazë të mënyrës se si i paraqet provat prokurorja, a mund të kërkoj se ku e mbështet pretendimin e saj prokurorja se dëshmitari ka vrarë njëri, në çfarë baze?
Gjykatësi Smith: Jo nuk mund ta bëni, vazhdoni prokurore.
Mustafa: …(Nuk dëgjohet).
Tutje, dëshmitari Rrustem Mustafa është pyetur për angazhimin e tij pas luftës dhe përfshirjen e tij në Partinë Demokratike të Kosovës si dhe punësimin pranë ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Madje, marrëveshja e tij e punës në Presidencën e Kosovës, bashkë me pagën në të, është dorëzuar si provë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithashtu, si provë janë dorëzuar edhe disa dokumente të tjera, ndër të cilat edhe faqe të librit të Skënder Zhitisë.
Gjatë kësaj seance, ish-komandant Remi është pyetur edhe për sektorin e inteligjencës.
Prokurorja e ka pyetur atë për termin “luftë speciale” për çka Remi ka thënë se nuk i kujtohet nëse i njëjti është përdorur në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.