Sot në Kuvendin e Shqipërisë në rend të ditës janë parashikuar pesë komisione parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë do të jetë projekt-buxheti i vitit 2024.
Por në punimet e komisioneve, sikurse ka ndodhur në ditët e fundit, nuk pritet të ketë normalitet, pasi opozita pritet të vijojë aksionin për të mos lejuar punime normale në Kuvend derisa të plotësohen tre kërkesat e tyre (mos-përfshirjen e PS në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkë-kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare), raporton A2 CNN.
Megjithatë socialistët e kanë gati skenarin “B”, që mbledhjet t’i zhvendosin online, pavarësisht se kjo mënyrë parashikohet vetëm në situate të jashtëzakonshme.
Komisioni i Ekonomisë njoftoi se mbledhja do të zhvillohet online, por pavarësisht kësaj Gazment Bardhi sërish do t’i thërrasë të tijtë në një mbledhje në orën 10 e 30 në kryesinë e kuvendit.
Njoftimi i Komisionit të Ekonomisë:
“Në vijim të njoftimeve për zhvillimin e mbledhjes së Komisioni për Ekonominë dhe Financat për sa i përket shqyrtimit të projektligjeve të Paketës Fiskale. Ju bë me dije se mbledhja e komisionit, ditën e hënë, dat 6.11.2023, Ora 09:30, do të zhvillohet online në platformën Zoom. Link për aksesimin e mbledhjes do ju dërgohet në vijim.”
Njoftimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi drejtuar deputetëve të opozitës:
“Mbledhja e grupit e planifikuar për në orën 09:00, shtyhet për në orën 10:15. Lutem të jemi të gjithë në orën 10:15 në sallën e grupit pranë Kryesisë së Kuvendit. Ju përshëndes!”. /Telegrafi/