Organizata ndërkombëtare humanitare e ushqimit World Central Kitchen (WCK) rifilloi operacionet e saj në Rripin e Gazës pasi shtatë nga punonjësit e saj u vranë në një sulm izraelit në fillim të këtij muaji, transmeton Anadolu.
“WCK shërbeu 200 mijë vakte për palestinezët e zhvendosur sot, teksa ne rifilluam punën në Gaza”, tha organizata në X.
Në njoftim thuhet se WCK ka ofruar më shumë se 43 milionë vakte në Gaza deri më sot, duke shtuar: “276 kamionë të WCK-së janë gati të hyjnë përmes qytetit Rafah me ushqim të mjaftueshëm për 8 milionë vakte. Ne po dërgojmë gjithashtu kamionë në veri”.
Në sulmin izraelit të 1 prillit në Gaza u vranë shtatë punonjës të ndihmës së WCK, tre shtetas britanikë, një australian, një shtetas polak, një person me shtetësi të dyfishtë amerikano-kanadeze dhe një palestinez.
Sulmi shkaktoi dënime të forta në mbarë globin, duke bërë thirrje për përgjegjësi. Shumë njerëz, duke përfshirë themeluesin e WCK-së, Jose Andres, kundërshtuan pretendimin e Izraelit se sulmi ishte një “gabim” dhe një rast i “identifikimit të gabuar”.