Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është përfunduar shtypja e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Fletëvotimet pritet të arrijnë sot në Kosovë.
Shtypja është realizuar në shtypshkronjën me siguri të lartë “Cetis” në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të saj.
Gjithashtu, janë përgatitur edhe broshurat e kandidatëve të Zgjedhjeve Lokale 2025, të cilat do të shpërndahen në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.
Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve do të shtypen gjithsej 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilën lloj të zgjedhjeve. Ky numër përfshin të gjitha mënyrat e votimit: në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe rezervat.
Në këtë proces është paraparë të prodhohen 13% më pak fletëvotime krahasuar me numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ arrin në 2,069,098 votues. Kjo do të thotë një reduktim prej 268,688 fletëvotimesh nga shifra totale.
Sipas të dhënave të Listës Votuese, 2,025,105 qytetarë do të votojnë në vendvotimet brenda territorit të Kosovës, ndërsa 43,993 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.
Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit me 2,571 vendvotime të caktuara për votimin e rregullt dhe 38 Qendra të Votimit me gjithsej 54 vendvotime për votimin me kusht.