Qindra qytetarë serbë të veriut, shumica afaristë, kanë protestuar sot në veri të Mitrovicës, kundër ndalimit të importit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe konfiskimit të tyre.
Ata kanë nisur po ashtu një peticion, përmes të cilit kërkojnë nga organet gjegjëse lejimin përsëri dhe pa pengesë të këtyre mallrave në Kosovë.
Dushan Gashiq, i cili foli në emër të protestuesve, ka thënë para gazetarëve se dëshirojnë që aksionet e tilla të sekuestrimit të mallrave serbe të ndërpriten dhe gjendja të kthehet sikur para muajit qershor, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për bllokadë ndaj mallrave me origjinë serbe në Kosovë.
‘Ne dëshirojmë që aksionet e njëanshme të konfiskimit të mallrave të ndërpriten. Duam që gjendja të kthehet sikur para muajit qershor kur është marrë një vendim i tillë për mallrat me origjinë serbe… Dua të potencoj se aksionet e tilla nuk po ju pëlqejnë as qytetarëve në jug të Ibrit. Parasëgjithash e kam fjalën për shqiptarët”, tha mes tjerash Gashiq, duke përmendur deklaratën e njërit prej zyrtarëve nga Oda Ekonomike e Kosovës, sipas së cilës, siç tha ai, Kosova ka humbur qindra miliona euro deri tani nga kjo bllokadë.
Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa në shenjë solidarizimi me protestën, të gjitha dyqanet në veri të Mitrovicës janë mbyllur nga ora 12:00 deri në 14:00.
Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur. Ndërkohë, lejohet hyrja e kamionëve me targa të Serbisë, por jo edhe qarkullimi i mallrave serbe.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej afro 34 milionë eurosh.
Të dhënat e qershorit të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve serbe, përkatësisht vlera e mallrave të importuara nga Serbia është rreth 13 milionë euro.