15/06/2024

QKSS: Rrëmbimi i tre policëve nga njësitë speciale të Serbisë ishte i parapërgatitur

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës që lidhen me rrëmbimin e tre anëtarëve të Policisë Kufitare.

QKSS thekson se dëshmitë në dispozicion sugjerojnë se rrëmbimi ndodhi në territorin e Kosovës, ishte i parapërgatitur dhe u krye nga njësitë speciale të Forcave të Armatosura dhe Xhandarmërisë Serbe.

“Veprimet e marra nga Qeveria Serbe në rrëmbimin e anëtarëve të Policisë së Kosovës paraqesin një eskalim të qëllimshëm, të paraparë dhe agresiv të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. QKSS dënon me vendosmëri këto akte në dëm ndaj paqes dhe stabilitetit.

QKSS i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO/KFOR dhe BE-së, për të shpejtuar kthimin e pjesëtarëve të Policisë në Kosovë. Gjithashtu, masa konkrete për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës duhet të zbatohen, pasi potenciali për konflikt vazhdon të rritet çdo ditë”, thuhet në reagim.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thekson më tej se është e rëndësishme të pranohet se qytetarët në veri të Kosovës janë ata që dëmtohen më së shumti nga situata aktuale dhe se shqetësimet legjitime të shprehura nga qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës lidhur me situatën aktuale meritojnë të dëgjohen me vëmendje.

“QKSS i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të marrë një rol më proaktiv në lidhje me dialogun dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, të bëjnë lëvizje konkrete drejt shtensionimit.

Megjithatë, të njëjtat kërkesa shkojnë edhe ndaj autoriteteve serbe në Beograd, të cilët kishin rolin udhëheqës në përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Të dy palët duhet të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës nxjerrin në pah paqëndrueshmërinë e status quo-së dhe theksojnë nevojën urgjente për një zgjidhje të zbatueshme”, thuhet më tej.

QKSS thekson se rruga e vetme përpara është zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën liderët e të dy vendeve kanë rënë dakord në shkurt të këtij viti. BE-ja duhet që sa më parë dhe pa vonesë të dorëzojë një plan të qartë të veprimit për zbatimin e marrëveshjes.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...