28/05/2024

Rikthimi i çështjes së Srebrenicës nxeh Vuçiqin e Dodikun

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Masakra e Srebrenicës – më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara, gati 30 vjet pas.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Dokumenti – ndonëse nuk e përmend as entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e as Serbinë – nxiti reagime të furishme në të dyja këto vende.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi këtë muaj një raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa udhëheqësi i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mblodhi mijëra ndjekës në Banjallukë për të kundërshtuar propozim-rezolutën e OKB-së.

“Ishte një krim në fund të luftës. Pas lodhjes, urrejtjes, vuajtjes, hakmarrjes… Por, nuk ishte gjenocid”, u tha Dodik mbështetësve.

Dodik tha, po ashtu, se nëse OKB-ja e miraton rezolutën për Srebrenicën, Bosnje e Hercegovina do të ndahet. Ai tha se do të ndërmarrë edhe disa “masa të posaçme”, por nuk specifikoi më shumë.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte i menjëhershëm. Ambasada amerikane në Sarajevë tha se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës.

“Millorad Dodik e ka gabim nëse mendon se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë mënjanë, derisa ai ndjek agjendën e tij secesioniste dhe e shtyn Bosnje e Hercegovinën drejt konfliktit. Republika Sërpska është entitet brenda shtetit të Bosnje e Hercegovinës”, shkroi Ambasada amerikane në Sarajevë në platformën X.

Kundër rezolutës për Srebrenicën u angazhua në mënyrë aktive edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, miratimi i saj do të shkaktonte pasoja “në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, në të drejtën publike ndërkombëtare, por edhe në vetë besueshmërinë e OKB-së si garantuese e paqes dhe rendit juridik në botë”./REL/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...