Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka propozuar një rishikim të kufijve territorial të ujërave ruse në Detin Baltik, sipas një projekt-dekreti të qeverisë, duke tërhequr një qortim nga Finlanda dhe Lituania, anëtarët e NATO-s, shkruan Reuters.
Sipas projekt-dekretit, të datës 21 maj, ministria propozoi rregullimin e kufirit rreth ishujve rusë në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës dhe rreth Kaliningradit, transmeton Telegrafi.
Nëse miratohet, dekreti do të hyjë në fuqi në janar 2025.
Ministria e Mbrojtjes argumentoi në justifikimin e ndryshimit se një matje e mëparshme sovjetike e kufirit nga viti 1985 përdorte tabela detare të mesit të shekullit të 20-të, dhe kështu nuk korrespondonte plotësisht me koordinatat hartografike më moderne.
Nga projekt-dekreti nuk ishte e qartë menjëherë se si do të rregullohej kufiri dhe çfarë konsultimesh – nëse do të kishte pasur – me shtetet e tjera rreth Detit Baltik.
“Autoritetet finlandeze po hetojnë informacionin në mediat ruse në lidhje me përcaktimin e zonave detare në Gjirin e Finlandës”, tha presidenti finlandez Alexander Stubb.
“Qeveria po monitoron situatën nga afër. Rusia nuk ka qenë në kontakt me Finlandën për këtë çështje. Finlanda vepron si gjithmonë: me qetësi dhe bazuar në fakte”, shtoi Stubb.
Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen tha se Rusia duhet t’i përmbahet Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, dhe tha se Rusia po mbjell “konfuzion”.