09/11/2024

ShBA-ja në takimet me presidenten Osmani asnjëherë nuk u shpreh kundër hapjes së urës së Ibrit

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë ndarë me presidenten Vjosa Osmani, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë nëse bëhet hapja e Urës së Ibrit në këtë kohë.

Këtë për Dukagjinin e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Osmani.

“Konfirmojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me Presidenten, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, të cilët çdoherë kanë dalë në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë Kupina.

Ai ka shtuar se ShBA-ja asnjëherë, në asnjë takim me presidenten, nuk është shprehur se është kundër hapjes së urës.

“SHBA-të asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk i kanë shprehur Presidentes qëndrim kundër hapjes së urës, por thjeshtë kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, shtoi Kupina.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë Radios Evropa e Lirë se hapja e urës në këtë kohë rrezikon ushtarët amerikanë, andaj nuk duhet të hapet.

Ndërkaq Bashkimi Evropian ka planifikuar që ta vendosë çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndaj kësaj deklarate të BE-së kishte reaguar menjëherë presidentja Osmani.

“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, kishte deklaruar Osmani më 1 gusht.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...