Sezoni i shirave ka filluar dhe kjo do të thotë probleme të reja për këmbësorët dhe për çiklistët. Uji i akumuluar në rrugë, i kombinuar me shoferë të pacivilizuar rezulton në situata të padëshiruara për këmbësorët, çiklistët apo përdoruesit e tjerë të rrugës. Fatkeqësisht, drejtimi i pacivilizuar i një mjeti motorik u kushton këmbësorëve një “dush të ftohtë”, sepse nuk ka ditë në rrugët e vendit që të mos vërehet rasti që një drejtues mjeti me shpejtësi të madhe të kalojë përmes një sasie të konsiderueshme uji të akumuluar bukfalisht të “lanë” një kalimtar. Por rregulloret ligjore në lidhje me situata të tilla nuk kanë ndryshuar. Nëse jeni viktimë e një shoferi të pamatur që ju lagë ndërsa jeni duke ecur, do të duhet të jeni jashtëzakonisht me fat për të gjetur një zyrtar policie në vend për të gjobitur shoferin, ose do t’ju duhet të jepni prova që kjo në fakt ka ndodhur.
Ky problem i trafikut, i cili shfaqet në çdo kohë të vitit kur ka reshje intensive shiu, është i rregulluar në Ligjin për Sigurinë e Trafikut Rrugor. Sipas nenit 124 paragrafi 2 i këtij ligji, shoferi që drejton mjetin në rrugë të mbuluar me ujë është i detyruar të rregullojë drejtimin e tij në mënyrë që të mos spërkasë këmbësorët, çiklistët, biçikletat me motor ndihmës, motoçikletat, triçikletat apo mjetet e tjera të ngjashme dhe nëse kjo nuk respektohet, shoferi mund të gjobitet prej 35 euro në kundërvlerë në denarë.
Për fat të keq, është e nevojshme që e gjithë situata të shënohet nga një punonjës policie dhe sipas MPB-së, këmbësori mund të bëjë kallëzim në komisariat dhe më pas, nëse është siguruar prova atëherë do të lëshohet një urdhërpagesë në përputhje me procedurën e caktuar.