08/09/2024

Shqipëri, mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar mbi gjendjen e sigurisë kibernetike

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Nga Presidenca e Shqipërisë thonë se në këtë takim u bë një analizë e gjendjes së sigurisë kibernetike dhe masat e marra nga institucionet për forcimin e mbrojtjes kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit

 

Tiranë

Nën drejtimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë me temë “Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në këtë takim u bë një analizë e gjendjes së sigurisë kibernetike dhe masat e marra nga institucionet për forcimin e mbrojtjes kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Sipas njoftimit, nga raportimet e institucioneve dhe diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar konstatohet se përgjatë një viti është bërë progres në forcimin e kapaciteteve dhe mbrojtjes kibernetike në vend.

“Republika Islamike e Iranit e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kërcënuese dhe sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuara dhe më komplekse”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, presidenti Begaj tha se masat e marra nga institucionet e Shqipërisë ndaj sulmeve kibernetike ishin të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse.

Begaj theksoi se masat filluan me mbrojtjen emergjente dhe vijojnë me krijimin e kapaciteteve, si dhe me sigurimin e një mbrojtjeje kibernetike të qëndrueshme.

“Një vit më parë ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe të sofistikuara kibernetike të ndërmarra, financuar dhe mbështetur nga struktura të caktuara qeveritare të Republikës Islamike të Iranit. Këto sulme synuan shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Republikës së Shqipërisë dhe pengimin e ofrimit të shërbimeve qeveritare online për qytetarët, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend”, tha Begaj.

Begaj tha se pavarësisht masave të marra, aktorët kërcënues kibernetikë “kryesisht të mbështetur dhe të financuar nga Republika Islamike e Iranit”, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre.

“Gjithashtu, pothuajse një vit pas sulmeve shkatërrimtare është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme dhe ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike”, tha Begaj.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës së Shqipërisë në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...