Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se në pikëkalimin kufitar në Merdarë për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.
Sveçla tha se pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t`i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.
“Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”, ka shkruar Sveçla.
Më tej, ai bëri të ditur se transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare.