Tregohet se një grua në epokën para-islamike quhej ‘Asiah’ (e pabindur). Kur ajo e pranoi Islamin, nuk e pëlqeu këtë emër dhe shkoi te Omer ibn Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “Nuk e dua emrin tim, prandaj më emërto me një emër tjetër.”
Omeri I tha: “Ti je Xhemile (e bukur).” Ajo u zemërua dhe tha: “Më emërtove sipas skllaveve!”
Pastaj ajo shkoi te Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, dhe i tha: “U sakrifikofshin babai dhe nëna ime për ty, nuk e dua emrin tim, prandaj më emërto mua!”
Ai tha: “Ti je Xhemile (e bukur).”
Ajo tha: “O i Dërguar i Zotit, shkova te Umeri dhe ai më emëroi Xhemile, ndërsa unë u zemërova.”
Profeti i tha: “A nuk e dije se Allahu i Madhëruar, është me gjuhën dhe dorën e Omerit?”
Transmetohet nga Said ibn Xhubejri, në lidhje me ajetin kuranor: “Dhe besimtarët e ndershëm” (Et-Tahrim: 4) – ai tha, “Ky ajet ka zbritur posaçërisht për Omerin.”
Transmeton Ali ibn Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: “Allahu e mëshiroftë Omerin që e thotë të vërtetën edhe nëse ishte e hidhur për të. Nëse e vërteta do ta linte, ai nuk do të kishte mik”.
Transmeton Said ibn Xhubejri, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Xhibrili i tha Profetit, paqja dhe bekimet qofshin mbi të: “Përcillni përshëndetjet e mia Omerit dhe informojeni se zemërimi i tij është burim force, ndërsa kënaqësia e tij është burim urtësie.””
Uthman ibn Maz’uni, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kaloi pranë nesh derisa ishim ulur me Profetin, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ndërsa Profeti tha: ‘Ky njeri e ka mbyllur derën e fitnes (mosmarrëveshjes). Nuk do të mbetet derë midis jush dhe mosmarrëveshjes për sa kohë që ai jeton midis jush”. – Pastaj bëri gjeste me dorën e djathtë dhe i ndërthuri gishtat.”
Transmeton Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka thënë: “Xhibrili, paqja qoftë mbi të, erdhi tek unë kur Omeri, Zoti e mëshiroftë, e përqafoi Islamin dhe më tha: “Engjëjt u gëzuan për konvertimin e Omerit në Islam dhe Omeri është drita e banorëve të Xhenetit.””
Transmeton Xhabir ibn Abdullah el-Ensari se Profeti, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, tha: “Derisa isha në Xhennet, pashë një shtëpi dhe doja të hyja në të. Pyeta se kujt i përkiste dhe më thane se i përket Omerit. M’u kujtua xhelozia e tij dhe u ktheva.”
Umeri tha: “O i Dërguar i Allahut, ti nuk je dikush për t’u pasur xheloz.”
Transmeton Atau nga Ibn Abbasi i cili tha: “Kur u shpall ky ajet: “Dhe Ne e krijuam njeriun nga një copë balte. Pastaj e vendosëm atë si një pikë uji (fare) në një vend të fortë…Pastaj e krijuam atë si një krijesë tjetër (me shpirt)” (El-Mu’minun:12-13), Omeri tha: “I Madhëruar qoftë Allahu, Krijuesi më i Mirë!”
Profeti, paqja dhe bekimi qofshin mbi të, tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, Allahu, i Lartësuar e ka vulosur atë me atë që the, o Omer.”
Transmetohet nga Sa’d ibn Ebi Vakkasi, i cili tha: “Omeri kërkoi leje të hynte te Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ndërsa në prani të tij (Profetit) kishte gra nga Kurejshët, të cilat i flisnin dhe i kërkonin një numër të madh fjalësh me zëra të ngritur. Kur Omeri kërkoi leje, ato u ngritën, duke nxituar t’i vendosnin mbulesat.”
Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, i dha leje Omerit dhe filloi të qeshej. Omeri tha: ‘Ti po qesh, o i Dërguari i Allahut.”
Profeti ia ktheu: “U habita nga këto gra që ishin me mua. Kur dëgjuan zërin tënd, ato nxituan të vendosnin mbulesat e tyre.”
Umeri tha: “O i Dërguar i Allahut, ti ishe më i denjë për respektin e tyre.” – Pastaj ai tha: “O armiq të vetes! Ju më keni frikë mua, por nuk keni frikë nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të?!”
Ata thanë: “Po, ti je më i ashpër se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të.”
Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, Shejtani nuk të takon kurrë duke ecur përgjatë një rruge, përveçse ai zgjedh një rrugë tjetër.” (Sahih Buhari, 3294 dhe Sahih Musllim, 2396)
Transmetohet nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila tha: “I Dërguari i Allahut, Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe, ishte ulur kur dëgjuam një rrëmujë dhe zëra fëmijësh. Ai u ngrit dhe pa një grua abisinase duke kërcyer me fëmijë rreth saj. Ai tha: “Oj Aishe, eja dhe shiko.” Kështu që erdha dhe e vendosa faqen time mbi shpatullën e të Dërguarit të Allahut, Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe. Vazhdova ta shikoja nga shpatulla deri te koka e tij. Ai më tha: “A nuk je e kënaqur?” Ajo tha: “Vazhdova të thoja, ‘Jo,’ për të parë pozicionin tim me të, kur ja u shfaq Omeri dhe njerëzit u shpërndanë prej tij. Atëherë Profeti, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, tha: “I shoh djajtë e njerëzimit dhe xhindët duke ikur nga Omeri.” (Shejh Albani e vërtetoi këtë në “Sahih al-Tirmidhi”, nr. 3691)
Pse Djalli kishte frikë nga Omeri?
Një nga cilësitë më të mëdha të Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, që e zemëroi djallin e mallkuar dhe e ndihmoi Omerin kundër tij deri në atë pikë sa djalli iku prej tij, ishte sinqeriteti i tij i palëkundur. Ai kurrë nuk bëri kompromis ose lajka dhe ishte i vendosur në mbështetjen e së vërtetës, kurrë nuk u dobësua dhe nuk u dorëzua.
Shejhul-islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Djalli fiton pushtet mbi njeriun vetëm nëpërmjet dëshirave të tij, ndërsa Omeri ia mbylli dëshirat.”
Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Konvertimi i Omerit në Islam ishte një burim force, hixhreti (migrimi) i tij ishte një fitore dhe kalifati i tij ishte një mëshirë. Pasha Allahun, ne nuk mund të falnim namaz dhe të luteshim hapur derisa Omeri e përqafoi Islamin. Unë besoj se djalli i frikësohet edhe pranisë së Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të.”
_____
Burimet:
Libri “El-Mehasini vel-Mesavii” i Ibrahim el-Bejhakiut;
“Minhaxh Es-Sunnetun-Nebevijje” (Metodologjia e Sunetit Profetik);
“Kitabu-sheriati” (Libri i Sheriatit) i Ebu Bekr Muhamed ibn el-Husejn el-Axhuri
Përktheu nga arabishtja: Mr. Amir Shabani






