Christopher Hill, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, ka bërë të ditur përmes një video-mesazhi se nuk ka demokraci pa zgjedhje dhe se zgjedhjet janë thelbi i procesit demokratik.
Ai gjithashtu tha se qeveria amerikane pret vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë për çështjet me interes të përbashkët.
“Kjo sigurisht përfshin çështjet rajonale, por edhe dëshirën e Serbisë për t’u bërë plotësisht pjesë e familjes së kombeve perëndimore”, tha diplomati amerikan përmes platformës X.
Ai ka thënë se Serbia duhet të arrijë shumë gjëra që të jetë e gatshme për këtë rrugëtim, e njëra prej tyre është sundimi i ligjit.
Hill tha gjithashtu se zgjedhjet janë një “stres test” për demokracinë dhe kjo vlen për çdo vend.
Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) zbuluan të meta në zgjedhjet e fundit të mbajtura në Serbi, tha ai në një video të publikuar në emër të SHBA-së.
Ai theksoi se është e rëndësishme që Serbia të bashkëpunojë me OSBE-në dhe vëzhguesit e huaj për zgjidhjen e problemeve me zgjedhjet.
Hill tha se zgjedhjet mund të dërgojnë në ndarjen e shoqërisë, por se pa zgjedhje nuk mund të ketë demokraci.
Ai shtoi se në çdo vend ekziston një problem që jo të gjithë janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, prandaj po përpiqen të ngrenë pikëpyetje për procesin zgjedhor.
Hill tha se Serbia duhet të merret me këto probleme përmes institucioneve me shpresën se vendi do të forcohet për shkak të saj.
Ai u ka uruar qytetarëve të Serbisë fat në tejkalimin e problemeve rreth zgjedhjeve dhe shtoi se më pas të gjithë do të mund t’i shijojnë pushimet me familjet e tyre.
Ndryshe, shteti gjerman si dhe shumë deputetë dhe zyrtarë evropianë kanë kritikuar organizimin e zgjedhjeve duke theksuar blerjen e votave prej partisë në pushtet, SNS-ë, e cila kohë më parë është udhëhequr nga presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/