Nuk kanë kaluar as 24 orë nga takimi në Ohër dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar ta bindë opinionin se Aneksi i marrëveshjes me Kosovën nuk është obligativ, sepse nuk e ka nënshkruar. Por, me të njëjtën shpejtësi mbërritën edhe mohimet nga Bashkimi Evropian dhe Amerika, zyrtarët e të cilëve thonë se marrëveshja është shumë e vlefshme.
Përgjigja për Vuçiqin erdhi nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell, por edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Portali serb “Nova”, shkruan se Borrell tha se marrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur në takimin në Ohër, u bë ligjërisht e detyrueshme në momentin kur Bashkimi Evropian doli me njoftimin.
“Marrëveshja nuk u nënshkrua për arsye ligjore, por të dyja palët ranë dakord që deklarata ime (pas takimit të Ohrit) përfaqëson për të dyja palët një angazhim për t’u përkushtuar plotësisht ndaj detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i saj”, tha Borrell pas takimit të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.
Ai shtoi se ky është një moment historik i rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, i cili krijon një “status quo të re në dialog”. Theksoi se BE-ja do të monitorojë procesin e zbatimit të gjithçkaje për të cilën është rënë dakord dhe shtoi se ka çështje urgjente që duhet të zbatohen menjëherë, siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.






