Gjermania kërkoi ndalim të menjëhershëm të “vrasjeve, përdhunimeve dhe torturave” në Sudan, pasi Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) morën kontrollin e qytetit perëndimor sudanez El Fasher, kryeqytetit të rajonit të Darfurit të Veriut, transmeton Anadolu.
“Ndërsa luftëtarët e RSF kontrollojnë pjesë të mëdha të El Fasherit në Sudan, ne i nxisim ata që janë përgjegjës të ndalojnë çdo dhunë kundër civilëve të bllokuar në qytet. Vrasjet, përdhunimet dhe torturat duhet të marrin fund tani”, tha sot Ministria e Jashtme gjermane në kompaninë amerikane të mediave sociale X.
“Udhëheqja e RSF u zotua publikisht për të mbrojtur civilët. Ata do të mbahen përgjegjës”, shtoi ministria.
Të hënën, ministria bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke shprehur shqetësim të madh për numrin në rritje të viktimave civile ndërsa RSF përparonte në El Fasher.
Shefi i ushtrisë së Sudanit dhe kryetari i Këshillit të Sovranitetit Tanzitor tha të hënën se ushtria vendosi të tërhiqej nga El-Fasheri për të parandaluar “shkatërrimin dhe vrasjen sistematike” të civilëve nga RSF.
RSF-ja ka rrethuar El-Fasherin që nga maji i vitit 2024 ndërsa ushtria sudaneze përpiqet të thyejë rrethimin e qytetit, i cili shërben si qendër operacionesh humanitare për pesë shtetet e Darfurit.
Ushtria dhe RSF-ja janë përfshirë në luftë civile që nga prilli i vitit 2023, duke rezultuar në mijëra vdekje dhe zhvendosje të miliona njerëzve.






