Iniciatori i sjellës së eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri, drejtues i shoqatës së Vatra Queens, Skënder Myrtezani foli për këtë ide, duke thënë se prej 10 vitesh anëtarët e degës së Vatrës kërkojnë kthimin e eshtrave të Nolit.
“Për ne nuk është vonë, pasi ne kemi nisur në vitin 2013, për çdo vit e kemi përsëritur kërkesën , gazeta Dielli e ka pasur botuar kërkesën tonë, por nuk depërtonte si ide që të argumentohet. Nuk ka depërtuar në publikun e Shqipërisë dhe kjo ide nuk e kalonte degën dhe shkrihej diku tek qendrat e Vatrat. Nuk kemi pasur sukses. Por këtë herë në 10 vjetorin e degës vendosëm ta marrin këtë ide si prezantim dhe gjetëm sërish një mënyrë. Dhe kjo erdhi edhe në Shqipëri. Nuk themi se kemi plotësisht të drejtë, por këto 10 vitet e fundit nuk kam dëgjuar një argument të shëndoshë. Shqipëria është Shqipëri, rregullat e lojës janë ndryshe nga vendet fqinje. Karakterizohet nga 3 fe që janë shembull”, është shprehur ai.
Gjatë intervistës në ABC News, nismëtari Murtezani u shpreh se ata që e luftuan në të gjitha drejtimet kanë bërë çmos që ai të mos riatdhesohet.
“Unë kisha propozuar një mirëseardhje të Nolit më komplekse, ku pjesa fetare do ta bënte detyrën e saj dhe pjesa kombëtare do ta bënte pjesën e saj. Shqipëria është vend i tre feve dhe Noli ka qenë ai që ka promovuar bashkëjetesën dhe vëllazërinë mes shqiptarëve dhe ka ofruar që Kisha Ortodokse shqiptare të jetë e të gjithëve. Është një person shumë i rëndësishëm shqiptar dhe e duam vazhdimësinë e asaj që promovonte Noli,” tha ai
“Unë kam dhënë letrën që ia kemi dërguar Parlamentit dhe shpejt shpresohet të bëhet pjesë e diskutimit dhe kemi propozuar të merret shembulli i Hungarisë apo Çekisë që riatdhesuan liderët e tyre. Do të ishte mirë të sillej me 6 janar në ditëlindjen e tij, por duhet të iniciojë qeveria. Unë kam hasur në argumente të ndryshme por nuk kanë qenë aspak të logjikshme. Atë çfarë ka bërë Noli nuk mund ta bëjë tjetër njeri. Argumenti kundër është se zbehet figura dhe puna e kreut të Kishës Ortodokse sot në Shqipëri me ardhjen e Nolit, por kjo nuk ka lidhje, nuk qëndron”, është shprehur ndër të tjera ai. /Telegrafi/