Kabineti izraelit i Sigurisë ka miratuar marrëveshjen e lirimit të pengjeve dhe armëpushimit të rënë dakord mbrëmë në Doha.
Marrëveshja tani do të kalojë në kabinetin e plotë për një diskutim dhe votim që pritet të mbahet nga qeveria.
Rekomandimi është bërë “pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve diplomatike, të sigurisë dhe humanitare” të marrëveshjes, me mirëkuptimin se marrëveshja “mbështet arritjen e qëllimeve të luftës”.
Zyra e kryeministrit nuk zbuloi se kush votoi për të mbështetur masën, por partia e Zionizmit Fetar të Ministrit të Financave Bezalel Smotrich dhe partia Otzma Yehudit e ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir thanë se nuk do ta mbështesnin marrëveshjen.
Më herët, qeveria tha se plani do të zbatohet të dielën, pavarësisht vonesave burokratike, që do të thotë se Gjykata e Lartë do të ketë ende një seancë dëgjimore për peticionet kundër marrëveshjes, megjithëse nuk pritet të ndërhyjë.
Marrëveshja
Përfaqësues nga Izraeli, Hamasi, Shtetet e Bashkuara dhe Katari e kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen në Doha, sipas mediave izraelite.
Marrëveshja e armëpushimit u shpall për herë të parë të mërkurën nga ndërmjetësit SHBA dhe Katari.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, tha se marrëveshja do të hynte në fuqi të dielën, në pritje të miratimit nga kabineti izraelit.
Në atë kohë, Netanyahu tha se detajet përfundimtare të marrëveshjes ishin ende duke u punuar, por falënderoi Presidentin Biden për “promovimin” e saj.
Më pas, Netanyahu shtyu një votim të kabinetit për të miratuar marrëveshjen të enjten, duke akuzuar Hamasin për përpjekje për të “shfrytëzuar minuta e fundit për lëshime”.
Hamasi tha se ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes, por sipas “BBC-së”, grupi kërkonte të përfshinte disa nga anëtarët e tij në listën e të burgosurve palestinezë që do të liroheshin sipas marrëveshjes.
Megjithëse negociatorët izraelitë kishin rënë dakord për marrëveshjen pas muajsh bisedimesh, ajo nuk mund të zbatohet derisa të miratohet nga kabineti i sigurisë dhe qeveria.
Dy ministra të linjës së ashpër, Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, të cilët kundërshtojnë marrëveshjen, kanë thënë se do të japin dorëheqjen në shenjë proteste.
Megjithatë, ata kanë sinjalizuar se nuk do të bashkohen me opozitën për të rrëzuar qeverinë, për aq kohë sa lufta të rifillojë pas gjashtë javësh, kur të përfundojë faza e parë e armëpushimit dhe lirimit të pengjeve.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se pret që armëpushimi të nisë të dielën, siç është planifikuar, me lirimin e tre pengjeve të para izraelite.
Shumë palestinezë dhe familje izraelite të pengjeve festuan lajmin për armëpushimin pas njoftimit të parë.
Megjithatë, luftimet në Gaza vazhduan, me sulme izraelite që kanë vrarë më shumë se 80 persona që nga shpallja e marrëveshjes, sipas ministrisë së shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Agjencia e Sigurisë Izraelite thanë të enjten se kishin kryer sulme ndaj 50 objektivave në Gaza.
Faza e parë, gjashtëjavore, e marrëveshjes do të përfshijë lirimin e 33 pengjeve – përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar – në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Trupat izraelite do të tërhiqen gjithashtu në lindje, larg zonave të populluara të Gazës.
Palestinezët e zhvendosur do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe qindra kamionë ndihme do të lejohen të hyjnë në territor çdo ditë.
Negociatat për fazën e dytë – që do të përfshijë lirimin e pengjeve të mbetura, një tërheqje të plotë të trupave izraelite dhe një kthim në një “qetësi të qëndrueshme” – do të fillojnë ditën e 16-të.
Faza e tretë dhe përfundimtare do të përfshijë kthimin e trupave të pengjeve të mbetura dhe rindërtimin e Gazës, një proces që mund të zgjasë për vite.
Izraeli nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin – i shpallur si organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA dhe të tjerë – në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar më 7 tetor 2023, ku rreth 1 mijë e 200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.
Që nga ajo kohë, më shumë se 46 mijë e 788 persona janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi.
Shumica e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës është zhvendosur, ndërsa ka shkatërrime të mëdha dhe mungesa të rënda ushqimi, karburanti, ilaçeve dhe strehimit. Ndërkohë, agjencitë e ndihmës përballen me sfida të mëdha për të ndihmuar ata që kanë nevojë.
Izraeli thotë se 94 pengje mbeten ende në duart e Hamasit, 34 prej të cilëve dyshohen të jenë të vdekur. Gjithashtu, katër izraelitë janë rrëmbyer para luftës, dy prej të cilëve janë të vdekur.