Kryetari i Parlamentit turk, Numan Kurtulmus, ka kritikuar mungesën e unitetit dhe solidaritetit mes vendeve të botës islame lidhur me çështjen palestineze, raporton agjencia e lajmeve Anadolu.
Duke folur gjatë Samitit të Katërt Ndërkombëtar të Shkollave të Mesme Model të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) dje në Stamboll, Kurtulmus tha se vendet islame janë të detyruara të arrijnë unitetin dhe solidaritetin mes tyre, si një kusht themelor për arritjen e paqes së qëndrueshme së pari në Jerusalem, dhe pastaj nëpër botë.
Ai vuri në dukje se ka “pyetje të drejta” të ngritura nga të rinjtë muslimanë në lidhje me rolin e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në mbarë botën, përballë tragjedive dhe dhimbjeve që po përjeton rajoni.
“Çfarë po bëjnë vendet islamike dhe OIC në lidhje me çështjen palestineze? Ku janë ata në lidhje me atë që po ndodh atje?” pyeti Kurtulmus, duke theksuar se pavarësisht kësaj, bota është dëshmitare e epokës “post-sionizmit”, kur sionizmi do të marrë fund dhe njerëzimi merr një psherëtimë të lehtësuar. /mesazhi.com\