16/06/2024

KUSH ISHTE RAMADAN EF. SHATRI (Mulla Ramushi 1909-1999)

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Shkruan:Ma.Vehbi Shatri

Besojmë se është e udhës që, të flasim për figurën më emblematike fetare të  rajonit të Dukagjinit, për Mulla Ramush Shatrin.

Lindja dhe Familja: Mulla Ramush Shatri lindi në fshatin Tomoc, në vitin 1909, nga babai Veseli dhe nëna Raba.

Mulla Ramushi ishte djali i parë i Veselit, dhe kishte edhe dy vëllezër, Idrizin dhe Sejdiun, si dhe një motër.

Si të gjithë shqiptarët e asaj kohe, edhe familja e Vesel Shatrit jetonte me punë krahu, apo, siç thotë populli, e njomte bukën me djersën e ballit.

Në moshën e rinisë Mulla Ramushi u martuar me Hatixhenë, të bijën e Sadik Fetah Ibërhysajt, nga Deçani. Nga kjo martesë e begatë Mulla Ramushi pati dy djem:Jahjain (Jahën) dhe Abdullahun.

Puna e vazhdueshme dhe përkushtimi i madh në punë Mulla Ramushit dhe familjes së tij ia sollën një gjendje ekonomike mesatarisht të mirë.

E veçantë për t’u theksuar është tradita e mirëfilltë fetare dhe kombëtare që kjo familje, që me origjinë vjen nga fshati Isniç i komunës së Deçanit, pra ka kultivuar vazhdimisht.

Arsimimi:Mulla Ramushi mësimet e para fetare i mori në mejtepin e fshatit, te hoxha Mehmed ef. Mahmudi. Në moshën 13 vjeçare u regjistrua në medresenë “Atik’’ në Pejë. Në këtë shkollë vijoi mësimet për tre vjet me radhë, e pastaj kaloi në Medresenë e Madhe të Gjakovës, te myderrizi i njohur Fahri ef. Iljazi, pranë të cilit edhe mori ixhazetnamenë (certifikatën e diplomimit).

Duke pasur parasysh që Mulla Ramushi mësimet i zhvilloi pranë mësimdhënësve dijetarë të shquar, ai domosdo se edhe trashëgoi veti të tyre. Kështu, gjatë kohës sa ishte në Medresenë e Madhe të Gjakovës ai ra në sy si një ndër nxënësit më të dalluar. Për këtë dëshmon edhe vetë fakti se mësimdhënësi e alimi i njohur gjakovar, Fahri ef. Ilazi, e angazhoi edhe si danishmend-asistent personal.

Puna: Mulla Ramushi gjatë studimeve në Medresenë e Madhe të Gjakovës, për tre vjet me radhë praktikën përfundoi edhe si imam ramazani në fshatin Krushë e Madhe. Sa shërbeu në Krushë të Madhe ai la përshtypje të mira te xhemati dhe gjithë paria e fshatit. Mulla Ramushi, gjatë muajit të shenjtë Ramazan ishte imam edhe në disa vende të tjera, si në Istog, Lluga etj. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Mulla Ramushi u pranua si imam i rregullt në fshatin Trubuhofc, fshat ky ku shërbeu deri në vitin 1964. Në vitin 1966 ai ndërroi vendin e shërbimit, për t’u emëruar imam në xhaminë e fshatit Tomoc.

Mulla Ramush ef. Shatri, përveç angazhimit të tij fetar, bënte pjesë edhe ndër ata burra atdhetarë që i dolën zot atdheut. Bashkë me kushëririn e tij nga ana e nënës (djalin e tezes), Mulla Zekë Berdynajn, dhanë kontribut të vazhdueshëm e me përkushtim dhe dinjitet të lartë për çështjen atdhetare e fetare. Të dy bashkë, shpeshherë nëpër ndeja, potenconin se njeriu në këtë jetë duhet lënë gjurmë ose me vepra patriotike e fetare (nuk e ndanin kombin nga feja), ose me shkrime, ose me djem të mirë që i shërbejnë kombit dhe shtetit. “Mjeri ai njeri që nuk ka bërë asgjë në këtë jetë!”, thoshte atdhetari i madh, Mulla Ramush ef. Shatri.

Mulla Ramushi, edhe kur ishte i shtyrë në moshë, nuk mungoi asnjëherë në shërbesat fetare në xhematin e tij, që gravitohej nga disa fshatra, si: Tomoc, Lluga, Llukafc i Begut, Muzhovinë, Dobrushë, Kovragë, Gurrakoc, Veriç, Gusar, Llukafc i Thatë, Zallq, Drejë, Shalnovicë etj. Pra, shihet se figura e Mulla Ramushit ishte e dashur në rajonin e Istogut, dhe dërsi (ligjërata) e tij ndiqej me ëndje prej një xhemati të madh. Një kontribut të rëndësishëm në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj Mulla Ramush ef. Shatri e ka dhënë edhe në mektebine tij (mësonjëtoren pranë xhamisë), të cilin e mbante me rregull dhe me përkushtim shumë të madh. Shumë prej nxënësve të mektebit të tij më vonë do të merrnin përsipër detyra të ndryshme në Istog dhe më gjerë, si: mësues, hoxhallarë, mualimë, mjekë, policë, zanatçinj etj. Sa ishte i përkushtuar në kryerjen e detyrës së tij si mualim pranë mektebit të tij dëshmon edhe fakti se vdiq pa iu ndarë as edhe një ditë punës së tij. Hoxha e kreu punën si imam (prijës në namaz-lutje), mualim (mësimdhënës)e hatib (ligjërues në ditën e premte), pa lodhur fare deri në vdekje.

Koha kur jetoi dhe veproi Mulla Ramushi ishte e vështirë jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik. Familjet shqiptare, sado të pasura të ishin, jetonin sa për mbijetesë, sepse nuk kishte treg ku t’i plasonin produktet dhe mallrat e punës bujqësore që bënin. Në anën tjetër, edhe taksat e pushtuesve ishin shumë të mëdha. Kishte kufizime në lëvizje, dhe nuk mund të punohej lirë. Në aspektin politik, deri në vitet e ’50-ta ishte një presion i madh për t’u shpërngulur në Turqi. Shqiptarët ndiqeshin për vepra të pakryera penale, dënoheshin me burgje e nëpër burgje deri në vdekje, me varje ose në forma të tjera, sa gjithçka ishte bërë tepër. Edhe Mulla Ramushi ishte i burgosur për fatin e rëndë të popullit të tij dhe vuajtjet e mëdha që po përjetonte çdo shqiptar. Mirëpo ai jo që nuk emigroi vetë për Turqi, por ishte shkaktari që nuk i lejoi edhe familjarët, të afërmit dhe xhematin e tij të ndërmerrnin një veprim të tillë. Ai ishte një kundërshtar i hapur dhe shumë i zellshëm kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre. “Atdheu nuk braktiset. Këtë e do armiku ynë. A t’ia bëjmë argatin?!”, ishin disa nga këshillat që jepte gjithkah Mulla Ramushi.

Me kontributin e dhënë në udhëheqjen e popullit dhe edukimin e tij Mulla Ramush ef. Shatri do të bëhet simbol i brezit të vjetër të hoxhallarëve autoritarë, kompetentë e të ditur, i atyre ixhazetlinjve plotë ilm (dije) e urtësi, që ditën t’i bëjnë ballë dhe t’i qëndrojnë stoik furtunave dhe rropatjeve të ndryshme që ua solli jeta. Ai ishte dhe mbetet ndër personalitetet më të shquara të rajonit të Istogut, që ditën ta udhëheqin xhematin (popullin) edhe atëherë kur për një fjalë a për një shkronjë mund të merrje një dënim tepër të rëndë. Mulla Ramushi gëzonte një respekt të thellë kudo që paraqitej ndër besimtarë e popullatë. Dallohej për oratorinë, urtësinë, maturinë dhe butësinë e tij të veçantë, qoftë në biseda fetare, qoftë në takime e biseda të tjera. Fjalët, këshillat, porositë, derset/ligjëratat dhe nasihatet e tij në xhami, në mexhlise e oda, ishin me peshë, dhe dëgjoheshin e merreshin seriozisht prej të gjithëve që ishin të pranishëm. Pas përgjigjeve të argumentuara, bindëse e të sakta që jepte Mulla Ramush ef Shatri, nuk mbetej vend për dyshime e diskutime të mëtejme.

Vdekja: Në marsin e vitit 1999 popullata e Istogut, sikurse edhe e gjithë Kosovës, ishin përndjekur nga shtëpitë e vatrat e tyre. Tomocasit kishin shkuar në fshatrat përreth bjeshkës, si: Vrellë, Sudenicë, Kaliqan, Jabllanicë etj. Mulla Ramushi pati rastin të jetë në fshatin Jabllanicë, e prej aty më vonë u shpërngulën edhe vendasit. Hoxha plak nuk pranoi të largohej. Ishte lodhur nga largimet, dhe dëshironte të mos largohej më.

Kështu, më 24 maj 1999, ushtria dhe paramilitarët serbë kishin arritur të hyjnë edhe në Jabllanicë, konkretisht në vendin e quajtur Llanishtë, te Jabllanica e Vogël. Në një tendë të improvizuar kishin mbetur të strehuar disa banorë. Disa prej tyre nuk kishin pasur mundësi të largoheshin, e disa nuk kishin dashur. Aty ishin rreth 11 pleq dhe plaka. Ata u zunë rob prej ushtrisë paramilitare serbe. Në mesin e tyre ishte edhe Mulla Ramushi. Derisa të tjerët i liruan, Mulla Ramushin, duke ia njohur veprimtarinë e tij kombëtare, paramilitarët serbë e ndanë mënjanë dhe e ekzekutuan. Kështu shkoi në botën e amshueshme Mulla Ramush ef. Shatri, pikërisht siç pati edhe dëshirë.Të ishte një prej shehidëve të kësaj toke, pra për të mos vdekur kurrë.  Mulla Ramushi u varros në bjeshkë, prej disa fshatarëve, po aty ku edhe u ekzekutua, kurse pas mbarimit të luftës u rivarros në fshatin e lindjes, në prani të shumë qytetarëve të fshatrave të Istogut dhe rajonit, si dhe në prani të shumë hoxhallarëve të Istogut, Pejës, Klinës, Skenderajt, si dhe të anëve të ndryshme të Kosovës.

Allahu xh.sh. e mëshiroftë shpirtin fisnik dhe të përvuajtur të Mulla Ramush efendiut, dhe e gradoftë me Xhenetin Firdevs![1]

 

[1] Për më shum për jetën dhe vepren e Mulla Ramadan ef Shatri, shih- Vehbi Shatri. Mulla Ramadan ef. Shatri (Mulla Ramushi) (1909-1999). Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. Prishtinë, 2019.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...