Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për seancën konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Në vendimin KO265/25, Gjykata konstatoi se Kuvendi ende nuk është konstituar plotësisht, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, siç kërkohet me nenin 67 të Kushtetutës.
Sipas aktgjykimit, seanca konstituive e mbajtur më 26 dhe 28 gusht 2025 është zhvilluar me parregullsi procedurale, sepse kryesuesi i seancës kishte ndarë procesin e votimit për komunitetet jo-shumicë – fillimisht për atë serb dhe më pas për komunitetet e tjera joshumicë. Ky veprim, sipas parashtruesve, ka cenuar barazinë dhe të drejtën e përfaqësimit të komuniteteve.
Votimi për nënkryetarët nga radhët e shumicës u zhvillua “në pako”, ndërsa përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë u votuan ndaras, gjë që sipas deputetëve të Listës Serbe bie ndesh me nenin 67 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Kuvendit.
Gjykata, duke shqyrtuar edhe aktgjykimet e mëparshme (KO124/25, KO193/25 dhe KO196/25), vendosi të vazhdojë masën e përkohshme, që ndalon formimin e institucioneve të tjera deri në përfundimin e plotë të konstituimit të Kuvendit.
Në vendimin e saj, Gjykata kërkon që Kuvendi të respektojë parimet kushtetuese të barazisë dhe përfaqësimit të komuniteteve, dhe që deputetët të ushtrojnë funksionet e tyre sipas Kushtetutës dhe Rregullores gjatë procedurës së re të votimit.
Procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve pritet të rifillojë pas hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa Kuvendi duhet të sigurojë që zgjedhja të bëhet me konsensus dhe në një procedurë të vetme, pa diskriminim mes komuniteteve.