Delegacioni shqiptar ka mbërritur në Serbi për të marrë pjesë në samitin e “Open Ballkan”. Kryeministri Edi Rama është pritur në aeroport nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiç.
Në samitin e radhës të iniciativës Ballkani i Hapur, që do mbahet më 2 shtator në Beograd, krahas organizatorëve, do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia.
Sipas presidencës serbe, liderët e vendeve që kanë krijuar këtë nismë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, do të presin ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Sikur edhe në takimin e fundit të kësaj iniciative, të mbajtur në Ohër, të pranishëm do të jenë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija.
Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk janë pjesë e saj nisme. Në samitin e radhës pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale.