Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur njofton se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022 ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore.
Gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur.
“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona mobil që do të shërbejnë në procedurë penale.
Ndryshe, javën e kaluar u raportua se një 11 vjeçare është dhunuar nga pesë persona. Personat e dyshuar janë arrestuar nga Policia dhe ndodhen në paraburgim.
Për 11 vjeçaren më pas u bë e ditur se edhe në qershor ka qenë viktimë e trafikimit, derisa ishte raportuar edhe si e zhdukur.