“Ne, pjesëmarrësit e tribunës “Midis guximit dhe kujtesës” të organizuar nga Grupi i Grave “Zëri i lirisë një zëri miratojmë këtë:
DEKLARATË PËR OPINION PUBLIK
Mbështesim fuqimisht dhe përshëndesim Rezolutën e Kuvendit të Kosovës më 12 shkurt 2026, drejtuar Gjykatës së Hagës që ngre zërin për gjykim të drejtë në mbrojtje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe deputetit Rexhep Selimi.
Procesi i padrejtë ndaj liderëve të UÇK—së ka hyrë në vitin e gjashtë, duke mënjanuar nga jeta politike dhe institucionale katër personalitete që kanë dhënë kontribut thelbësor për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Akuza që rëndon mbi liderët e UÇK-së është fabrikuar nga kundërshtarët e lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, e mbështetur mbi Raportin e rrejshëm të senatorit Dick Martty, nga të dhënat e shërbimeve armiqësore të Beogradit si dhe të shpifjeve të panumërta me motive nga më të ultat.
Procesi ndaj liderëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare dhe gjatë gjithë seancave nuk u arrit argumentimi i asnjë akuze për kryerjen e krimeve të luftës dhe atyre kundër njerëzimit.
Dëshmia e personaliteteve të kalibrit ndërkombëtar para kësaj Gjykate në mënyrën më bindëse vërtetoi pastërtinë, drejtësinë dhe karakterin liridashës të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli nga gjiri i popullit të Kosovës si reagim për vetëmbrojte ndaj planeve, projekteve dhe operacioneve të administratës, policisë dhe ushtrisë serbe që ushtruan dhunë, shkatërrim, vrasje dhe gjenocid gjatë viteve 1998 – 1999.
Duke shprehur respekt në vlerat e sistemit të drejtësisë, besojmë dhe kerkojm që Gjykata Speciale e Hagës do të merr vendim të drejtë dhe t’i lirojë sa më parë ish liderët e UÇK-së dhe ata të kthehen në mesin e familjeve dhe të shoqërisë sonë.
Drejtësi, pa politikë!
Liri për çlirimtarët!
Drenas, 14 shkurt 2026”






