Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi për media ka dhënë sqarime shtesë lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
Prokuroria ka shtuar se Prokurori Shtetit në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, si rezultat i hetimeve tashmë ka dërguar në mbajtje pesë (5) personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së dhe për të njëjtit, Prokurori i Shtetit ka kërkuar masën e paraburgimit në gjykatën kompetente, me ç ‘rast gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë.
Tutje bëhet e ditur se në koordinim të plotë me institucionet relevante kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën, kurse hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.
“Po ashtu, për hir të informimit të saktë, ju njoftojmë se në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se në mënyrë urgjente, prokurori kujdestar ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rastit në fjalë.
“I njëjti ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime të ndryshme. Po ashtu, në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet.
Të dy çështjet penale ndodhen në procese hetimore të ndara dhe i takojnë Procedurës për të Mitur, andaj, kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve”, thuhet në njoftim.
Në fund, Prokuroria Themelore njofton se të gjitha procedurat ku janë të përfshirë të miturit janë procedura konfidenciale dhe fshehtësia e informacionit lidhur me fëmijën viktimë apo dëshmitarë mbrohet me ligj, e po ashtu, secili informacion që priret të bëjë identifikimin e fëmijës si dëshmitar apo viktimë, nuk botohet pa lejen e shprehur qartë të gjykatës.