Shtatë persona u arrestuan sot në një aksion i cili u zhvillua në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën në regjionet e Prishtinës dhe Pejës.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.
“Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”.
Tutje thuhet se gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë, një peshore për matjen e lëndëve narkotike, 11.065 euro para të gatshme, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente personale me identitet të rremë, pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.
“Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë evropiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë ligjin dhe rendin”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/