Vlera e produkteve nga Shqipëria, të importuara në Kosovë, është rritur për më shumë se 55 milionë euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, flasin edhe për rritje të eksporteve nga Kosova në Shqipëri – nga 77 milionë euro sa ishin në periudhën janar-shtator të vitit 2022, në 82 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti.
Por, cila është arsyeja e rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve?
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e lidh atë me ndalimin e produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës.
Si rrjedhojë, thotë ai, bizneset e Kosovës janë orientuar nga produktet e Shqipërisë, për shkak të afërsisë gjeografike.
Qeveria e Kosovës i ka ndaluar pothuajse të gjitha importet nga Serbia qysh më 15 qershor, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.
Ndërkohë që policët janë liruar për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve ka vazhduar.
Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian.