Ne mbështetje te Ambasadës amerikane në Prishtinë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sjell përvojat ngadhënjyese dhe këndvështrimet e ekspertëve amerikan në lidhje me luftën kundër dezinformimit.
Dokumentari televiziv “Mendo si verifikues faktesh” mbi edukimin mediatik, i prodhuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tregon se si peizazhi mediatik i Kosovës përbëhet nga dy nivele: mediat kombëtare dhe mediat rajonale. Vendi ka 19 stacione televizive operative, 86 radio stacione, 41 platforma televizive kabllore dhe 97 ofrues të shërbimeve të prodhimit audio/video.
Mediave në Kosovë nuk u kërkohet që të regjistrohen në mënyrë specifike si media – ato regjistrohen si subjekte afariste. Viteve të fundit, peizazhi mediatik i Kosovës është rritur, me kompani të reja mediatike që themelohen çdo vit.
“Ka periudha kur mediat e njëanshme – media që kanë agjenda të caktuara – lulëzojnë. Këto periudha përfshijnë kohën e zgjedhjeve, pandemisë, krizave e kështu me radhë. Këto pseudo-media themelohen me të vetmin qëllim që të ndjekin agjenda të fshehta të cilat nuk zbulohen kurrë nga audienca. Megjithatë, Kosova nuk është aq toleruese sa disa vende tjera kur bëhet fjalë për propagandën e huaj, duke përfshirë këtu edhe rajonin.
Demokracitë e përparuara si Shtetet e Bashkuara zbulojnë se “Edukimi mediatik” është zgjidhja e vetme për ta luftuar dezinformimin dhe keqinformimin që bëhet nga disa grupe të caktuara. Duke qenë kështu, Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë në këtë çështje duke krijuar institucione, organizata, institute dhe mekanizma të tjerë për t’i edukuar qytetarët e saj në lidhje me konsumin e lajmeve dhe, në përgjithësi, mediat”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se edukimi mediatik mund t’i ndihmojë qytetarët që të jenë konsumues më të mirë të lajmeve dhe t’i ndihmojë që të mësojnë se si t’i dallojnë lajmet nga dezinformimi, keqinformimi dhe propaganda.
Njerëzit më me ndikim të Amerikës që po merren me këtë fenomen priren ta konsiderojnë këtë si detyrë qytetare, ndërkohë që punojnë për teknika dhe mjete për ta bërë të gjithë shoqërinë më të edukuar në lidhje me mediat.