Von der Leyen tha se janë bërë hapa pozitivë dhe se ka ardhur koha të investohet në Mal të Zi.
“Ju jeni shumë ambiciozë dhe kjo na pëlqen”, tha shefja e Komisionit Evropian.
Siç theksoi zyrtarja evropiane, duhet të përshpejtohen reformat në fushën e sundimit të ligjit, të ketë transparencë në prokurimet publike dhe në këtë mënyrë të dërgohet një sinjal se Mali i Zi është një vend i besueshëm për zhvillimin e biznesit.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, vlerësoi se BE-ja është partnerja më e rëndësishme strategjike dhe investuesja më e madhe në Mal të Zi.
Ai njoftoi për një cikël investimesh që e presin Malin e Zi në vitet e ardhshme.
“Një cikël që do t’i tërheqë mbi 3 miliardë euro. Ky është mesazhi kryesor që nga sot: Mali i Zi është i hapur për biznes dhe se tani është koha për të investuar”.
Spajiq përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në BE.
“Deri në fund të vitit 2026 do t’i mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave, në mënyrë që të bëhemi anëtar i bllokut deri në fund të vitit 2028”, tha Spajiq.
Ai theksoi, gjithashtu, se kjo është një mundësi për BE-në që të tregojë se politika e zgjerimit “është gjallë”.
Në konferencë, e cila iu kushtua zhvillimit të qëndrueshëm, do të prezantohen katër projekte të investimeve evropiane në ekonominë e Malit të Zi dhe do të nënshkruhen dhjetë memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme.