Pas protestave në Beograd, të cilat përfunduan me reagim të dhunshëm të policisë, opozita në Serbi ka akuzuar presidentin Aleksandar Vuçiqin se ka dërguar huliganët që provokuan dhunën.
Ata në deklaratën e tyre kanë thënë se Vuçiq ka treguar edhe një herë fytyrën e vërtetë të dhunshme, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Kanë dërguar huliganët e tyre për të krijuar incidente, kështu që në fund Vuçiq ka dërguar njësi speciale kundër qytetarëve që protestojnë për shkak të zgjedhjeve të vjedhura, të cilat kanë përdorur forcë brutale. Kjo dëshmohet nga video të shumta, si dhe fakti se njëri prej demonstruesve është rrahur brutalisht dhe i është thyer këmba, duke e goditur me shqelma teksa ishte shtrirë në tokë”, citohet të jetë thënë në reagimin e tyre.
Ata theksuan se dënojnë dhunën e përdorur nga pushteti për të prishur demonstratat e qytetarëve të cilët vetëm kërkojnë anulimin e zgjedhjeve.
Siç thuhet më tej, njëra nga lideret e opozitës, Marinika Tepiq, është në grevë urie, ndërsa mbrëmë Vuçiq ka falënderuar “agjencinë e huaj të inteligjencës”, e cila dyshohet se e ka informuar “për përgatitjen e një ndryshimi të dhunshëm të qeverisë”.
Ndryshe, gjatë orëve të vona të ditës së diel, Vuçiq kishte thirrur mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Siç ka pretenduar ai, të dielën është tentuar që të merren me dhunë institucionet e Serbisë.
Thirrja e tij për takimin urgjent ka ardhur pasi mbështetësit e koalicionit “Serbia kundër dhunës” (SPN) kanë vazhduar edhe të dielën në mbrëmje protestën e tyre.
Protesta e shtatë e koalicionit Serbi kundër dhunës është mbajtur para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KQZ).
Por protesta në një moment është zhvendosur para Kuvendit të qytetit të Beogradit, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Sipas raportimit të mediave serbe, protesta u karakterizua nga incidente të shumta, qytetarët thyen xhamat dhe dyert e hyrjes, si dhe u shkatërruan kamerat e vëzhgimit.
Qytetarët hodhën gurë në ndërtesën e Kuvendit të qytetit të Beogradit, ndërsa policia përdori edhe sasi të madhe të gazit lotsjellës.
Në fund thuhet se policia dhe xhandarmëria arriti të shpërndante protestuesit. /Telegrafi/