Zëvendëskryeministri i Serbisë ka thënë se përshkallëzimi i situatës në Kosovë mund të ndodhë në çdo moment.
Këto komente, ai i bëri nga Shën Petersburgu i Rusisë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve “RIA Novosti”, teksa tha se Serbia nuk do të rri duarkryq nëse ka dhunë ndaj serbëve në Kosovë.
“Situata në provincën jugore serbe mund të përshkallëzohet në çdo moment. Kur ushtrohet dhuna ndaj serbëve, është e pamundur të pritet që të gjithë, veçanërisht Serbia, të qëndrojnë anash dhe të shikojnë. Sigurisht që nuk do ta bëjmë”, deklaroi zyrtari i lartë serb.
Nënkryetari i qeverisë serbe ka theksuar se “lufta për të drejtat e serbëve në Kosovë” është pjesë e strategjisë kombëtare të Serbisë.