Volkswagen do të nisë dërgesat e Passat-it të gjeneratës së re në shtator, teksa dërgesat e modelit Skoda Superb do të vijojnë në fund të vitit, ka thënë shefi i markës VW, Thomas Schaefer.
Passat-i dhe Superb-i do të ndërtohen bashkë në fabrikën e Volkswagen në Bratislavë të Sllovakisë, kjo pasi që kompania vendosi që ta zhvendosë prodhimin e Passat-it nga fabrika e saj në Emden të Gjermanisë, dhe atë të Superb-it nga fabrika e Skoda-s në Kvasiny të Republikës Çeke.
Volkswagen do ta prodhojë vetëm versionin “wagon” të Passat-it, duke hequr dorë nga “sedani”, ndërsa Skoda do të prodhojë dy versione të Superb, atë ‘wagon” dhe “hatchback”, bëri të ditur Schaefer në prapaskenat gjatë zbulimit të konceptit VW ID2all, raporton Automotive News Europe, përcjell Telegrafi.